E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmet ndaj KFOR-it në Veri, Serbia arreston dy vëllezër

Arrestimi i vëllezërve Veselinoviç shihet si sinjali i parë i heqjes së strukturave paralele në veri të Kosovës. Priten hetime edhe nga Kosova

Arrestimi i dy vëllezërve serbë, të dyshuar për krimet në veri të Kosovës, është komentuar si një sinjal për heqjen e strukturave paralele. Zvonko dhe Zharko Veselinoviç janë pjesë e listës së të dyshuarve për incidentet dhe krimet e kryera në veri të Kosovës. Të arrestuar të martën nga policia serbe në Kralevë, ata dyshohen nga Prokuroria kosovare për përfshirje në armëmbajtje pa leje, kontrabandë me naftë dhe për nxitjen e incidenteve në Veri që nga muaji korrik i këtij viti. Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, Shyqyri Syla, tha se vëllezërit Veselinoviç po hetohen për të gjitha krimet e kryera në veri që nga paslufta. Në listën e të dyshuarve janë edhe vëllezërit Veselinoviç - edhe për shkak të barrikadave, por edhe për shkak të sulmeve të fundit në Rudarë dhe në Jagnenicë ndaj ushtarëve të KFOR-it. “Në listën e të dyshuarve janë edhe vëllezërit Veselinoviç - edhe për shkak të barrikadave, por edhe për shkak të sulmeve të fundit në Rudarë dhe në Jagnenicë ndaj ushtarëve të KFOR-it. Mirëpo, nuk do të thotë se këto hetime që po zhvillohen tani kufizohen vetëm në periudhën e fundit, por janë të ndërlidhura me tërë ngjarjet gjatë tërë kohës që kanë ndodhur gjatë pasluftës në Veri”,- tha Syla. Zvonko e Zharko Veselinoviç ishin identifikuar nga misioni i NATO-s në Kosovë për përfshirjen në aktet e fundit të dhunës kundër ushtarëve ndërkombëtarë të KFOR-it, te barrikadat në Jarinë dhe Jagnenicë, por nuk ka detaje se kur mund të lëshohet fletë-arresti ndaj tyre për këtë çështje apo për përfshirjen e tyre eventuale në krime të tjera. Syla tha se hetimet për këta dy të dyshuar janë në fazën e mbledhjes së informatave dhe se pengohen nga barrikadat e vendosura në veri të Mitrovicës. “Nuk mund të japim ndonjë datë të arsyeshme derisa nuk zhbllokohen barrikadat dhe derisa nuk mundësohet qarkullimi i lirë - edhe i policëve të EULEX-it edhe atyre vendorë, sepse pa qarkullim të lirë nuk mund të mbahen hetimet”, -shpjegoi Syla. Mësohet se, që nga paslufta, Zvonko Veselinoviç ishte arrestuar pesë herë lidhur me dyshimet për trafikim me narkotikë, vjedhje dhe trafikim të automjeteve, por nuk është gjykuar asnjëherë për këto dyshime për shkak të, siç thuhet, mungesës së dëshmive. Mbetet e paqartë, megjithatë, se a ka paraqitur EULEX-i ndonjë fletë-arrest për krimet e tjera të kryera nga Veselinoviç që nga 1999-ta në veri të Kosovës. Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviç, nuk e komentoi këtë çështje. “Momentalisht, nuk kemi asnjë koment lidhur me arrestimin e Zvonko edhe Zharko Veselinoviçit. Ne kemi protokoll policor me Beogradin, i cili shërben për shkëmbim të informatave. Por unë nuk mund t'i komentoj hetimet, as detajet e as emrat e njerëzve, të cilët po hetohen - kjo nuk ndryshon as në këtë rast. Momentalisht, nuk kemi asnjë koment lidhur me arrestimin e Zvonko edhe Zharko Veselinoviçit”, theksoi Gudeleviç. Mbi tridhjetë ushtarë gjermanë dhe austriakë të KFOR-it u lënduan muajin e shkuar gjatë një aksioni të misionit me qëllim largimin e disa barrikadave në veri të Kosovës. Ndërkohë, aksioni policor i autoriteteve kosovare për marrjen e kontrollit në dy pikat kufitare në Veri në muajin korrik kishte rezultuar me vrasjen e një polici shqiptar, plagosjen e disa të tjerëve dhe plagosjen e disa serbëve protestues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›