Dy të vdekur dhe një i plagosur në aksidentet rrugore
Brenda shtatë orësh në segmentet rrugore që përshkojnë Qarkun e Gjirokastrës janë regjistruar dy aksidente automobilistike me pasoja të rënda. Në këto ngjarje kanë humbur jetën dy persona si dhe ka ngelur i plagosur një i tretë. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, aksidenti i parë është regjistruar rreth orës 20.30 të së mërkurës, në rrugën rurale që lidh fshatin Biovizhdë me fshatin Çarçovë, në rrethin e Përmetit. Mjeti Saurel, Liaz me targa PR 07 10 B, i cili drejtohej nga Gentian Hyseni, 35 vjeç, lindur dhe banues në Piskovë, Përmet, ndërsa udhëtonte në drejtim të fshatit Çarçovë në një pjesë të pjesët të rrugës nuk i ka funksionuar sistemi i frenimit. Si pasojë, shoferi ka humbur kontrollin e mjetit, çka ka bërë që kamionit të dalë nga rruga duke u përmbysur. “Në momentin e batimit drejtuesi i mjetit, Gentian Hyseni, është përpjekur të hidhet nga kabina por kamioni e ka zënë nën vete, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme”, thonë burime në grupin hetimor. Në kamion udhëtonte si pasagjer edhe 25-vjeçari Altin Hasani, lindur dhe banues në Përmet, i cili në momentin e aksidentit ka mundur të hidhet nga kabina dhe ka pësuar dëmtime të vogla, pa rrezik për jetën. Pas rreth shtatë orësh nga kjo ngjarje, në hyrje të qytetit të Tepelenës do të regjistrohej një tjetër aksident automobilistik me pasojë vdekje. Rreth 500 metra larg qytetit të Tepelenës një autoveturë do të përplasej me bordurën metalike të rrugës. Automjeti tip Volkcvagen Golf 3 me targa TR 1582 U, që drejtohej nga 25-vjeçari Genci Shehu, lindur dhe banues në Vasjar,Tepelenë, ndërsa udhëtonte nga Gjirokastra për në Tepelenë, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka dalë në krah të kundërt të rrugës. Sipas burimeve në grupin hetimor, mjeti është përplasur me parmakët metalikë të rrugës dhe profili metalik ka përshkuar automjetin tejpërtej. Si pasojë e përplasjes dhe futjes së profilit metalik mes për mes makinës, shoferi i makinës, Gjergji Shehu, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. “Nga veprimet e para hetimore rezulton se ai mund të ketë qenë në gjendje gjumi dhe për pasojë ka humbur kontrollin e mjetit”, thonë burime në grupin hetimor.