Shkrumbohet pylli i Pishë Poros, dyshohet zjarrvënie e qëllimshme
Brenda dy ditëve janë shfarosur 900 hektarë me pisha që ndodhen jo shumë larg detit, duke shkatërruar një pasuri kombëtare
VLORË Është thuajse i djegur në masën 60%, ndërsa zjarret vijojnë ende. I njohur me emrin “Pylli i Pishë Poros”, për nga pishat që ka, ai tashmë është tjetërsuar nga flakët e zjarrit, të cilat vijojnë prej dy ditësh. Zjarri ka nisur qysh mëngjesin e djeshëm, prej të cilit janë njoftuar efektivët zjarrfikës. Këta të fundit janë mobilizuar tërësisht duke u përpjekur prej dje të shuajnë flakët e zjarrit. Por përmasat e tij duket se kanë tejkaluar parashikimet, aq më tepër që zjarri nuk ka qenë në një vatër të vetme. Disa të tilla kanë bërë që përhapja të jetë e konsiderueshme. “Lufta” me flakët ka qenë e fortë, pasi ato vijojnë ende. Mësohet se ditën e djeshme në zonën pyjore janë nisur edhe efektivë të ushtrisë nga reparti i Bunavisë. Dendësia e pyllit nuk ka lejuar që shuarja të kryhet vetëm nga mjetet zjarrfikës. Efektivët zjarrfikës dhe ata të ushtrisë kanë operuar edhe me mjete rrethanore. Era ka ndikuar që flakët të jenë ende prezente. Ato po përparojnë pranë hidrovorit që ndodhet pranë Akërnisë. Një pjesë e sipërfaqes pyjore ishte nën rrethimin “pronë private”, ku janë djegur prej saj rreth 500 ha, ndërsa gjithsej sipërfaqja e prekur nga flakët është rreth 900 ha.
Normalizimi
Në orët e mesditës situata ka qenë e ndërlikuar edhe mes efektivëve zjarrfikës. 10 prej të cilëve, që kanë operuar në zonë, kanë humbur kontaktet me një prej grupeve, duke u shqetësuar deri për humbjen e tyre. Ankthi për këtë ka zgjatur disa orë, derisa rreth orës 17 zjarrfikësit kanë rivendosur kontaktet. Mësohet se ende efektivët zjarrfikës ndodhen në këtë zonë, ndërsa deri në pasdite kanë qenë edhe forcat e ushtrisë. Fatmirësisht pranë nuk ka shtëpi banimi, ndërkohë që dëmi në sipërfaqen pyjore është i konsiderueshëm. Ende nuk flitet zyrtarisht me shifra, por zona është e dominuar nga flakët dhe shkrumbimi i tyre. Po kaq me rezerva flitet edhe për shkakun, pasi ndezja në disa vatra ka çuar në dyshime deri për zjarrvënie të qëllimshme, por për këtë nuk ka konfirmime zyrtare. Gjithsesi, vendosja në disa pika mbetet ndër dyshimet për këtë version.
Specialistë të mjedisit vlerësojnë zonën si një prej ligatinave të bregdetit shqiptar.