E Diel, 1 Nëntor 2026

I zë korrenti i gjeneratorit, humbasin jetën dy vëllezër

Sipas burimeve policore, të dy vëllezërit, ndërsa kullosnin tufën e bagëtive, kanë tentuar të sigurojnë ujë për to

Tepelenë Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e enjte, në rrethin e Tepelenës, kur dy vëllezër kanë humbur jetën si shkak i goditjes nga rryma elektrike. Ngjarja ka ndodhur në një shpellë malore, 4 kilometër në periferi të fshatit Salari, Tepelenë, kur dy vëllezër të familjes Gogo kanë humbur jetën pasi janë goditur nga rryma elektrike e prodhuar nga një gjenerator. Gjithçka ka ndodhur në momentin kur të dy barinjtë po përpiqeshin të siguronin ujë për tufën e bagëtive. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, ngjarja e rëndë ka ndodhur në një shpellë në malin e Këndrevicës. Duke qenë se shpella ndodhet në një zonë me ujë të këtij mali, ajo ka formën e një pusi natyror i cili vazhdimisht mban ujë. Madje, ajo shfrytëzohet nga banorët e Salarisë për të siguruar ujë për tufat e bagëtive gjatë kullotjes në këtë zonë. Të njëjtën gjë kanë dashur të bëjnë edhe dy vëllezërit, Njazi dhe Xhevit Gogo, të cilët kullosnin bagëtitë në këtë zonë. Sipas burimeve policore, të dy vëllezërit, ndërsa kullosnin tufën e bagëtive, kanë tentuar të sigurojnë ujë për to, duke shfrytëzuar shpellën në malin e Këndrevicës. Ditën e enjte ata kanë marrë një gjenerator me naftë dhe pasi e kanë çuar në mjediset e brendshme të shpellës kanë tentuar të nxjerrin ujë për tufën e bagëtive. “Pasi kanë montuar gjeneratorin elektrik, ata janë përpjekur ta vendosin atë në punë. Por duket se rryma elektrike ka bërë qark të shkurtër, çfarë ka shkaktuar goditjen nga korrenti të 40-vjeçarit Njazi Gogo”, përshkruajnë ngjarjen burime në grupin hetimor. Si shkak i goditjes së fortë nga rryma elektrike, ai ka rënë në ujë në brendësi të shpellës. Në këtë situatë 35-vjeçari Xhevit Gogo është hedhur në ujë për të shpëtuar vëllanë e madh, por tragjikisht edhe ai është goditur nga rryma elektrike. Kanë qenë barinjtë e tjerë që pas disa orësh kanë gjetur në shpellë trupat e pajetë të dy vëllezërve, duke lajmëruar më pas policinë lokale, e cila vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›