Aksidentoi dy fëmijë, kapet shoferi
Policia e Fierit ka vënë nën pranga një drejtues mjeti, i cili gjatë udhëtimit ka aksidentuar rëndë dy fëmijë. Aksidenti ka ndodhur dy ditë më parë. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier pohuan për "Shqip" se kanë vënë në pranga shtetasin Arben Sherifi, 32 vjeç, banor i fshatit Radostinë të Komunës Ndërmënas. Arsyeja e ndalimit të këtij shtetasi ka qenë se një ditë më parë, duke udhëtuar me automjetin e tij tip "Mercedez Benz" me targa N86SDW, në aksin rrugor Fier-Seman, në afërsi të Fermës Çlirim, ka aksidentuar rëndë dy fëmijë 12 dhe 13 vjeç, të cilët tentuan që të kalonin nga një anë e rrugës në tjetrën. Po sipas burimeve zyrtare policore mësohet se fëmijët, me iniciale A.G. dhe E.S. u dërguan në spitalin rajonal të Fierit, ku u është dhënë ndihma e parë mjekësore. Njëri prej tyre, 13-vjeçari me iniciale E.S. është dërguar në Tiranë, pasi gjendja e tij shëndetësore ka qenë e rëndë. 32-vjeçari Sherifi është ndaluar nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.