Shkëndija elektrike lë në qiell të hapur dy familje
KRUJË- Tetë anëtarët e 2 familjeve në Thumanë të Krujës kanë mbetur në qiell të hapur, pas djegies së shtëpisë së tyre. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së premte, kur flakët kanë përfshirë të gjithë shtëpinë e familjes Doçi. Familjarët të alarmuar kanë dalë jashtë ndërtesës, duke i shpëtuar flakëve, ndërsa kanë njoftuar policinë dhe zjarrfikëset. Pavarësisht ndërhyrjes nuk u bë e mundur shuarja në kohë e zjarrit, i cili kishte djegur pjesën më të madhe të shtëpisë duke dëmtuar dhe orenditë shtëpiake.
Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, por tashmë 2 familjet kanë mbetur të pastreha. Ndërkohë që vazhdojnë hetimet për ngjarjen, dyshohet se shkak i rënies së zjarrit ka qënë një shkëndijë elektrike.
Inspektimi i ambasadorëve: Vizat hiqen në mesin e 2010
QAFË THANË - Ambasadorja e Francës, Maryse Daviet dhe Ambasadori i Hollandës, Henk Van den Dool, kanë vizituar dje Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës së bashku me Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. Gjatë vizitës ata panë se si funksiononte sistemi TIMS, si ndërlidhej ky sistem me sistemin MEMEX dhe me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, si funksiononin kamerat e instaluara të vëzhgimit, si funksiononin lexuesit optikë të pasaportave biometrike, e po kështu edhe se si bashkëpunonin agjencitë e ndryshme që operojnë në kufi, policia kufitare, dogana, kontrolli fito-sanitar, shërbimi i antidrogës etj. "Çdo shqiptar do të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave dhe ne presim të bëhen së shpejti hapa konkretë. Shpresojmë që liberalizimi i vizave të arrihet në mesin e verës së vitit të ardhshëm",- u shpreh ambasadorja franceze Znj. Maryse Daviet.
Ndërkohë, ambasadori Van den Dool deklaroi se shpreson që misioni i Komisionit Europian të konstatojë këtë progres dhe të japë sa më shpejt mbështetjen e tij për liberalizimin e vizave.
Prokuroria zbardh provat kundër shqiptarit të akuzuar për terrorizëm
LONDËR - Në ditën e tretë të procesit gjyqësor në ngarkim të Krenar Lushës, prokuroria Britanike ka treguar të gjitha provat që e implikojnë atë si të dyshuar në përgatitjen dhe kryerjen e akteve terroriste. Materiale në forme videoje ku tregohen mënyrat sesi përgatitet eksplozivi, ato të vrasjes së një ushtari amerikan, përfshirë qindra klipe që janë gjetur në kompjuterin e Lushës, i janë paraqitur gjykatës. Shqiptari 30-vjeçar me origjinë nga Kosova i mohon dhjetë akuzat për përfshirje në terrorizëm që ka ngritur prokuroria britanike. Prokurori Nigel Godsmark i ka treguar trupit gjykues një material filmik 26 minutash, ku tregohet si mund të ndërtohet një brez me eksploziv për sulme kamikze, i gjetur në kompjuterin e Lushës. Ndër materialet e tjera të paraqitura si prova janë edhe një manual elektronik për përdorimin e kallashnikovit, aktivizimin e detonatorëve si dhe përdorimin e celularëve për t’i kthyer në detonatorë shpërthyes. Gjatë arrestimit të Lushës, policia, krahas materialeve audio-vizive, gjeti edhe 14 celularë, 71.8 kg karburant, 2 kg nitrat që do të shërbente për ndërtimin e bombave artizanale. Përpara arrestimit, Krenar Lusha mbahej nën survejimin e skuadrës së anti-terrorit në Londër. Ai është mbajtur nën përgjim gjatë komunikimit me celular ose me e-mail përmes internetit.
Së bashku me Lushën, në këtë proces akuzohen edhe katër shtetas britanikë me origjinë pakistaneze.
23 Nentor 2009