Zbulohet në Tiranë fabrika e patatinave të falsifikuara
TIRANE - Një fabrikë ku prodhoheshin patatina të kundraligjshme pa miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Bujqësisë, u zbulua mesditën e djeshme nga policia e kryeqytetit. Pas zbulimit të punishtes, në pranga përfunduan dy persona, të cilët menaxhonin fabrikën, e cila sipas policisë, ndodhet në fshatin Qesarakë në periferi të kryeqytetit. Policia sekuestroi mallin dhe filloi hetimet për bashkëpunëtorët e tjerë të të arrestuarve për këtë veprimtari. Burime nga policia thanë se gjatë operacionit të koduar "Dorittos", u arrestuan Arben Filloli dhe Gjergji Qirici, të cilët u kapën duke transportuar nga fabrika në pika të ndryshme shitjesh, patatina me vlerë 10 milionë lekë të vjetra. Policia njoftoi dje se në ambientet e përshtatura si punishte, pa asnjë standard sigurie, prodhoheshin patatina me mbishkrimin "Era Patatina Lodra". E përveç kushteve ku ky produkt ushqimor prodhohej, pa iu nënshtruar analizave kimike, rezultoi se subjekti nuk ishte i regjistruar në organet tatimore. Sipas policisë malli prodhohej në mënyrë të kundraligjshme, pa miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve. Fillimisht u sekuestrua malli që po transportohej nga Arben Filloli dhe Gjergji Qirici, në një furgon tip "Ford" me targë TR 48 24 R e më pas u sekuestruan rreth 35 mijë pako patatina në fabrikën e tyre në Qesarakë. Policia sekuestroi edhe aparaturat që shërbenin për prodhimin e produkteve ushqimore. Në të njëjtën kohë po ushtrohen kontrolle në subjekte të ndryshme ku produkti i prodhuar në mënyrë të jashtëligjshme, "Era Patatina Lodra", vazhdon të jetë në shitje.