Dy vëllezër lazaratas marrin peng një shtetas
Burime bëjnë të ditur se shkak për marrjen me forcë nga shtëpia të të riut ka qenë ngacmimi i të dashurës
GJIROKASTËR – Pesë ditë më parë mori nga banesa një shtetas, ndërsa vetëm dje është vënë në prangat e policisë. Proletar Hallaçi, nga Lazarati, është arrestuar të premten nga blutë e Gjirokastrës, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza e “heqjes së paligjshme të lirisë”. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se 21-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi i ndihmuar nga i vëllai kishte marrë me forcë një shtetas duke e mbajtur peng dy orë, deri në mbërritjen e policisë. Megjithatë, ndërsa në momentin e parë kishte mundur të largohej, më pas vendqëndrimi i tij është zbuluar nga forcat e rendit duke bërë të mundur arrestimin e tij.
***
Sipas burimeve të policisë, dy vëllezërit Proletar dhe Abdurrahman Hallaçi nga fshati Lazarat i rrethit të Gjirokastrës, mbrëmjen e së hënës kanë trokitur në shtëpinë e shtetasit S.K., në lagjen “Grihot” të qytetit dhe kanë kërkuar të bisedojnë me të. Por më pas duket se “bisedimet” nuk kanë vijuar mirë, pasi familja e tij, duke nuhatur rrezikun që i kanosej djalit të tyre ka njoftuar policinë. Të mbërritur në vendngjarje, blutë kanë rrethuar vendin ku ndodheshin dy vëllezërit nga Lazarati dhe personi i marrë me forcë. Burimet bëjnë të ditur se frika e të qenit të rrethuar ka bërë që shtetasi S.K. të lihej i lirë pas rreth dy orësh që ishte mbajtur nga vëllezërit për të “sqaruar” një “paqartësi” të lindur mes tyre.
***
Errësira duket se i ka favorizuar dy vëllëzërit për t’u larguar nga vendngjarja dhe për t’i shpëtuar forcave të policisë. Megjithatë, pas marrjes në pyetje, shtetasi S.K. ka sqaruar edhe rrethanat e marrjes me forcë të tij nga Hallaçi duke bërë të ditur se i ishin kërkuar “sqarime” që kishin të bënin me ngacmimin e të dashurës së lazaratasit. Më tej, është lëshuar urdhri për shpalljen në kërkim të Proletar Hallaçit, arrestimi i të cilit është bërë i mundur vetëm paraditen e djeshme rreth orës 10:00 në aksin rrugor Gjirokastër - Kakavijë. Ndërkohë, ndaj tij është ngritur akuza e “heqjes së paligjshme të lirisë”. Nga burimet zyrtare të policisë nuk jepet asnjë informacion lidhur me vëllanë e 21-vjeçarit, duke u shprehur se për të nuk ka urdhër kërkimi.