E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet oficeri i akuzuar se dhunoi një të mitur

 

Nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor rezultoi se mbi Aristidh Gucajn nuk ishte ushtruar dhunë fizike

SARANDË – Lirohet në sallën e gjyqit oficeri i policisë i akuzuar për ushtrim të dhunës fizike ndaj një të mituri në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Sarandës. Ardit Hasanbegaj ka pritur dje vendimin e dhënë nga togat e zeza, pasi morën në dorë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, ku rezultoi se mbi të pandehurin të cilit i ra të fikët në sallën e gjyqit, nuk ishte ushtruar dhunë fizike. Aristidh Gucaj, avokati i të cilit paditi ngjarjen e ndodhur, duke akuzuar oficerin se kishte ushtruar dhunë mbi klientin e tij, ishte arrestuar së bashku me Oltion Varfin dhe akuzohej për “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Por gjatë seancës gjyqësore, atij i ra të fikët, ndërsa nga mbrojtësi i tij ligjor u deklarua se mbi të riun ishte ushtruar dhunë në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Sarandës, nga oficeri Hasanbega. Për publikimin e skandalit u desh ndërhyrja e Avokatit të Popullit, ndërsa për punonjësin e policisë u pre fleta e arrestit. Akuza e ngritur ndaj tij ishte “përdorim dhune fizike e psikologjike ndaj të ndaluarve në mjediset e komisariatit”. Pozicionin e oficerit e rëndonte edhe mosha e re e të ndaluarve, si dhe shtrimi i njërit prej tyre në spitalin e burgut. Por në gjykatë, mjekët u shprehën se mbi Gucajn nuk rezultonte të ishte ushtruar dhunë fizike. Raporti që iu paraqit togave të zeza nënvizonte gjendjen e mirë shëndetësore të të pandehurve, duke bërë që gjyqtari i çështjes të vendoste lirimin në sallën e gjyqit me detyrim paraqitjeje për oficerin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›