Dy vëllezër në pranga për 220 rrënjë Cannabis
TEPELENË - Rreth 220 rrënjë bimë narkotike Cannabis sativa janë asgjësuar, ndërsa dy persona janë vënë në pranga si kultivues të tyre. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se operacioni policor i koduar “Bliri" ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme në komunën Qesorat të rrethit Tepelenë për asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me Cannabis sativa. “Forcat e policisë së Komisariatit Tepelenë, në bashkëpunim me Seksionin Kundër Narkotikeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara gjatë fazës evidentuese se në afërsi të varrezave të fshatit Kamçisht të komunës Qesorat të rrethit Tepelenë kishte disa parcela të mbjella me bimë narkotike”, - tha policia. Mbi bazën e këtyre informacioneve është bërë kontrolli i zonës, ku rreth 30 metra larg varrezave të këtij fshati janë evidentuar 5 parcela të hapura rishtas në mes të pemëve dhe shkurreve, të cilat ishin të kultivuara me bimë narkotike. Menjëherë forcat e policisë kanë bërë rrethimin e vendit me qëllim kapjen e autorëve në flagrancë. Si rezultat i punës së bërë u arrit që në afërsi të parcelave të kapej njëri nga autorët, Myslym Çaushi, 55 vjeç, i cili shkonte për t'i vaditur këto bimë dhe më pas u kap edhe autori tjetër, Sali Çaushi, 50 vjeç, vëllezër, të dy nga fshati Kamçisht. Nga këqyrja e bërë këtyre parcelave nga ana e grupit hetimor rezultoi se në këto parcela kishte 220 rrënjë bimë narkotike Cannabis sativa, të cilat varionin nga 80 deri në 120 centimetra të larta", - thuhet në komunikatën zyrtare të policisë në lidhje me këtë ngjarje. Hetimet kanë treguar gjithashtu se toka në të cilën ishin mbjellë rrënjët e Cannabisit ishte në pronësi të dy vëllezërve për ta përdorur si kullotë.
13 Korrik 2010