Ekzekutohen me breshëri armësh gjatë natës finale të Botërorit
Artan CENA
KORÇË - Dy persona janë ekzekutuar mbrëmjen e dy ditëve më parë në fshatin Pojan të Korçës. Me disa plumba është ekzekutuar në vend një 32-vjeçar, ndërkohë që është plagosur një 40-vjeçar, i cili ndërroi jetë më pas në spital. Ngjarja ndodhi natën ndërsa po transmetohej finalja e Botërorit. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie që janë njoftuar nga banorët. Nga burimet zyrtare është mësuar se Altin Liçolli ka ndërruar jetë në vend, ndërsa miku i tij, Arben Mica, ka vdekur në spital si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë. Ekspertët e policisë dyshojnë se gjithçka ishte e programuar, pasi autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja pa lënë gjurmë. Pas ngjarjes fshati Pojan është blinduar nga forcat e policisë, që kanë në dispozicion një shumë prej 3 milionë lekësh për këdo që jep informacion mbi autorët.
Ngjarja
Viktima ndodhej në dyqanin e tij se bashku me një mik kur një apo më shumë persona të armatosur kanë qëlluar nga dera e hapur pa paralajmërim. Nga plumbat ka mbetur i vdekur në vend 32-vjeçari Altin Liçolli, banor i fshatit Pojan. Gjithashtu është plagosur rëndë edhe 40-vjeçari Arben Mica. Ai ndodhej në dyqanin e mikut të tij pasi po shikonin finalen e Botërorit të futbollit së bashku. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe gjeti në gjendje kritike për jetën 40-vjeçarin, ndërsa 32-vjeçari Altin Liçolli është gjetur i pajetë. I plagosuri është dërguar me urgjencë në spital dhe sipas të dhënave është mësuar se ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të djeshëm për shkak të plagëve të marra në trup.
Hetimet
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia ka marrë në pyetje disa persona si dëshmitarë. Gjithashtu janë marrë dëshmitë dhe të familjarëve të viktimave. Këta të fundit kanë dhënë detaje të ndryshme për uniformat blu, por nuk kanë mundur që të identifikojnë ndonjë person si autor të mundshëm. Policia lokale ka shoqëruar gjatë natës dhe ditës së djeshme shumë banorë të fshatit Pojan, të cilët i ka marrë në pyetje. Kryesisht të shoqëruar janë ata persona që policia ka dyshuar se kanë pasur konflikte me viktimën. Burime nga policia thanë se objekti i krimit ka qenë 32-vjeçari Liçolli dhe miku i tij Mica ka qenë viktimë e rastësishme. Nga hetimet ende nuk është zbardhur shkaku që ka çuar në vrasje. Policia ende nuk ka bërë të ditur ndonjë pistë hetimi në lidhje me këtë krim.
13 Korrik 2010