Përplasje me armë mes një të kërkuari dhe policisë
POGRADEC - Përplasje me armë gjatë aksionit të policisë për kapjen e një personi. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Leshnicë të Pogradecit. Burime nga policia lokale kanë bërë të ditur se i kërkuari i është kundërvënë uniformave blu duke qëlluar ndaj tyre. Për 2 orë i kërkuar në fshatin Leshnicë të Pogradecit ka bërë rezistencë ndaj policisë duke qëlluar me armë, por pa shkaktuar të lënduar. Ngjarja ndodhi teksa forcat e policisë kanë tentuar të arrestojnë Myfteri Verdhën. Ky i fundit ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe municione luftarake. Në momentin që forcat e policisë kishin rrethuar banesën e 45-vjeçarit në fshatin Leshnicë, kanë hasur në rezistencën e tij. Sapo ka parë forcat e policisë, i kërkuari Myfteri Verdha ka qëlluar në drejtim të tyre, shkëmbim zjarri që ka vijuar për 2 orë, deri në arrestimin e tij. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar nga të shtënat me armë, ndërsa policia ka vijuar kontrollet dhe në banesën e 45-vjeçarit.
Zënkat, tre të plagosur brenda 24 orëve
ELBASAN - Tri plagosje me thikë kanë ndodhur brenda 24 orëve në Elbasan. Burime zyrtare nga policia lokale kanë bërë të ditur se është shpallur në kërkim Agim Dervishi, 50 vjeç. Ky person, në lagjen “Partizani”, në vendin e quajtur “Gurabardhi”, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me thikë 27-vjeçarin me inicialet E. D. Po kështu është bërë shpallja në kërkim dhe për Ermal Kotorrin, 23 vjeç, banues në Gramsh dhe Elton Kamberi, 21 vjeç, banues po në Gramsh. Shpallja në kërkim ndaj tyre u bë pasi në lagjen “Sporti" Gramsh, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur disa herë me thikë të riun me inicialet E. Z., 21 vjeç. Ky i fundit ndodhet në spital dhe gjendja është e rëndë. Në polici janë shoqëruar dhe Taulant Çota, 22 vjeç, si dhe Bledi Ganxhi, 20 vjeç, banues në Librazhd. Këta në fshatin Dragostunjë, Librazhd, për motive të dobëta kanë goditur me thikë dhe mjete rrethanore 32-vjeçarin me inicialet G. B., 32 vjeç. I dëmtuari është jashtë rrezikut për jetën.
Arrestohet 47-vjeçari, po shkonte të bënte një vrasje
SHKODËR - Parandalohet një vrasje në Shkodër. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se kanë arrestuar një 47-vjeçar kur po shkonte të vriste një person me të cilin ishte zënë një ditë më parë. Sipas policisë, dy ditë më parë në orën 21:30, në vendin e quajtur plazhi Velipojë, është bërë arrestimi në flagrance i Besnik Brahimit, 47 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhia”, të Shkodrës. Arrestimi i tij është bërë pasi ai të shtunën e kaluar, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin me inicialet D. H., e ka kërcënuar seriozisht për jetën. Policia kishte marrë informacione dhe si rezultat i veprimeve hetimore të uniformave blu dhe gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij tip “Benz” me targa DI 4415 A, u gjetën dhe sekuestruan si prova, një armë zjarri tip “Skopjan” së bashku me një krehër me 17 copë fishekë, që i arrestuari i mbante pa leje.
Kosovari në hetim për vrasje të dyfishtë në Angli
LONDËR - Një shqiptar nga Kosova është paditur për dy vrasje të kryera në Londër brenda dy ditëve. Sipas informacioneve, shqiptari nga Kosova, Hajdar Kasumaj, 50 vjeç, i cili jetonte në Palmers Green, në veri të Londrës, akuzohet se ka vrarë biznesmenin gjithashtu nga Kosova, Nezir Golajn, 45 vjeç, si dhe 58-vjeçarin Osman Grbiç. Hajdar Kasumaj është akuzuar për dy vrasje dhe një tentim vrasje të një personi tjetër 43-vjeçar, si dhe ka disa akuza për armëmbajtje pa leje përshirë një pistoletë 9 mm si dhe një silenciator. Ngjarja ka ndodhur në datën 8 dhe 9 korrik ku biznesmeni Nezir Golaj u vra afër rrugës “Hendon Way” në veriperëndim të Londrës. Sipas anëtarëve të familjes të viktimës ai ishte duke u nisur për në punë nga shtëpia e tij kur u qëllua me armë zjarri ndërsa ishte brenda makinës së tij afër rrugës “Hendon Way” në veriperëndim të Londrës. Sipas burimeve të konfirmuara, gruaja dhe vajza e tij e kishin gjetur trupin e pajetë të të ndjerit dhjetë minuta më vonë. Ndërkohë, kosovari Hajdar Kasumaj do të do të paraqitet në Gjykatën e Westminsterit në Londër për të gjitha akuzat që janë ngritur për të.
Aksidenton për vdekje djalin e tij 1 vjeç
POGRADEC - Një 38-vjeçar në Pogradec ka shtypur aksidentalisht fëmijën e tij 1-vjeçar me automjetin e tij. Sipas burimeve nga Komisariati i Policisë së rrethit të Pogradecit, ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Proptisht, kur Flamur Kllogjeri, 38 vjeç, lindur dhe banues në këtë fshat, ka aksidentuar për vdekje me automjet djalin e tij njëvjeçar, H. K., pa e parë që ai ndodhej pas tij. Autori i aksidentit, edhe pse në gjendje të rëndë psikologjike, ka dhënë shpjegime para policisë për shkaqet e këtij aksidenti. Policia, pas kryerjes së veprimeve hetimore në vendngjarje, ka vendosur ndjekjen në gjendje të lirë të autorit të kësaj ngjarjeje për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".
Sherri në qendrën e internetit, dy të rinj të plagosur
LAÇ - Dy të rinj janë plagosur me armë zjarri në Laç. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë në një qendër interneti rreth orës 23:00, ku pas një debati kanë mbetur të plagosur Ernest Synaj, 20 vjeç dhe Alban Përlikaj, 22 vjeç. Nga burimet policore është mësuar se të rinjtë janë qëlluar nga një person, identiteti i të cilit ende është mësuar. Synaj dhe Përlikaj janë dërguar në spital dhe sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet. Deri mbrëmjen e djeshme nuk kishte të arrestuar për këtë ngjarje.
13 Korrik 2010