Ish-drejtori i SHIU-t: Gërdeci nuk u shkaktuar nga sabotazhi
Procesi i Gërdecit vijoi dje me dëshminë e ish-drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak, Hysni Gjergji. Ky i fundit deklaroi në përgjegjësi të plotë, në cilësinë e dëshmitarit, se për sa kohë kishte pasur këtë post nuk ka mbërritur asnjë informacion se Gërdeci rrezikohej nga ndonjë sabotazh i mundshëm. Pas tij në seancën e djeshme kishte edhe gjashtë dëshmitarë të tjerë të thirrur po nga akuza. Ish-drejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë (SHIU), Hysni Gjergji, dëshmoi para sallës së gjyqit se gjatë kohës që ai ka qenë në këtë post nuk ka pasur asnjë informacion se në Gërdec mund të kishte ndonjë plan për sabotazh. “Në një takim për NATO-n, Brukseli na informoi se si një vend, në atë kohë kandidat për në NATO, mund të rezultonin akte që mund ta bënin vendin tonë si objekt sabotazhi”, - deklaroi dëshmitari. Gjergji pohon se për këtë ka vënë në dijeni dhe ministrin e Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu. Por, lidhur me rastin e Gërdecit, ish-drejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë deklaroi se nuk pati ndonjë informacion nga ushtarakë apo drejtues të fabrikës apo krerë të instancave të tjera që të lajmëronin se Gërdeci mund të bëhej pre e ndonjë sabotazhi, apo vjedhjeve. Një pistë e tillë u hodh disa muaj më parë. Ish-ministri Mediu u shpreh në një deklaratë publike se Prokuroria nuk kishte përfshirë në hetimet e saj edhe pistën e sabotazhit.
Seanca vijoi me dëshmitarë të tjerë të Prokurorisë, disa nga të cilët ish- punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes. Prokuroria e ka vlerësuar “Gërdecin” si një gabim njerëzor, ndërsa pala e pandehur pretendon për një sabotazh të mundshëm. Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur.
13 Korrik 2010