Transportet, Shëndetësia, Mbrojtja dhe Gjyqësori, goditen më tepër nga shkurtimet
Shkurtimi i buxhetit të shtetit, ka prekur pothuajse të gjitha institucionet e rëndësishme shtetërore. Nga krahasimet e bëra me buxhetin fillestar, programi i ri buxhetor “godet” më shumë Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, me rreth 9 miliardë lekë më pak dhe Ministrinë e Shëndetësisë me gati 4 miliardë lekë të reduktuara. Nuk mbeten pas edhe institucionet e pavarura kushtetuese, konkretisht pjesa e gjyqësorit. Në total qeveria ka shkurtuar rreth 39 miliardë lekë, ku afërisht 25 për qind i takojnë ministrisë së drejtuar nga Sokol Olldashi. Edhe Ministria e Mbrojtjes, pavarësisht projekteve në kuadër të NATO-s, do të ketë më pak fonde në dispozicion për pjesën e mbetur të vitit, rreth 5 miliardë lekë. Të gjitha fondet e tërhequra nga plani për t’u shpenzuar prekin më së shumi pjesën e investimeve, që në total janë 19 miliardë lekë. Sipas MF-së, nuk do të përfshihen në listën e projekteve për financim objektet që nuk kanë nisur nga puna, duke u dhënë rëndësi vetëm atyre që janë në proces. Nga Ministria e Transporteve vijnë sqarimet se pjesa dërrmuese e projekteve rrugore janë në përfundim dhe u takojnë akseve nacionale. Me këtë logjikë, ajo pjesë që është shkurtuar u përkiste disa akseve që do të rehabilitoheshin. Sipas buxhetit të ri, programit të rrugëve nacionale do t’u hiqen nga fondi 7 miliardë lekë, duke e lënë me rreth 30 miliardë. Por dhe vetë MF-ja do të ketë rreth 500 milionë lekë më pak në dispozicion, ndërsa i gjithë buxheti i ri do të jetë afro 6.3 miliardë lekë. Ministria e Bujqësisë nuk do të ketë në dispozicion 2.2 miliardë lekë, shëndetësisë i hiqen 4 miliardë, arsimit rreth 5 miliardë lekë, kurse Ministria e Punës, si efekt i rritjes së pagave, do të ketë buxhet më të madh, pa ndikim tek investimet. Duke u ndalur tek arsimi, më pak fonde do të ketë për pjesën e arsimit bazë, rreth 1 miliard lekë.
Sektorit të gjyqësorit në vend do t’i duhet të menaxhojë më pak fonde për pjesën e mbetur të vitit. Shkurtime fondesh për prokurorinë janë vendosur në masën 80 milionë lekë, për Zyrën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor do të jenë gati 50 milionë lekë më pak, për Gjykatën Kushtuese 10 milionë lekë më pak, kurse për Shërbimin Informativ Shtetëror rreth 90 milionë lekë të reduktuara. Rreth 400 milionë lekë i takojnë t’i hiqen zyrës që mbulon kthimin dhe kompensimin e pronave.
Buxheti i rishikuar i vitit 2010
Ishin Bëhen
Të ardhurat(Total) 361 miliardë lekë 333.6 miliardë lekë
Shpenzimet 410 miliardë lekë 371.7 miliardë lekë
Deficiti 49.7 miliardë lekë 38.1 miliardë lekë
Nga tatimet e doganat 246 miliardë lekë 229.7 miliardë lekë
Pushteti Vendor 21 miliardë lekë 15.4 miliardë lekë
Të ardhura jo-tatimore 4.4 miliardë lekë 28.2 miliardë lekë
Buxheti Sig Shoqërore 74.5 miliardë lekë 74.5 miliardë lekë
Shpenzimet Korrente 320 miliardë lekë 300.1 miliardë lekë
Interesat 43.5 miliardë lekë 43.5 miliardë lekë
Shpenzimet Operative 37.9 miliardë lekë 30.7 miliardë lekë
Shpenzime Pushteti Lokal 38.2 miliardë lekë 29.6 miliardë lekë
Fondi Rezervë 4.7 miliardë lekë 5.2 miliardë lekë
Shpenzime Kapitale 85.9 miliardë lekë 66.7 miliardë lekë
13 Korrik 2010