E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy vetura të një delegacioni serb dëmtohen me gurë në Prishtinë

PRISHTINË-Në Prishtinë, sot pasdite, nga persona të dyshuar është sulmuar me gurë konvoji i një delegacioni të Republikës së Serbisë, i cili ishte nën përcjelljen e zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

Bëhet e ditur se dy veturat e delegacionit kanë pësuar dëme të vogla materiale, duke iu thyer xhamat anësorë, ndërsa lëndime të personave nuk ka pasur.

Zyrtarët policorë kanë ndërhyrë menjëherë për ta parandaluar incidentin dhe kanë arritur të arrestojnë një person si të dyshuar të mundshëm të përfshirë në këtë rast.

Zyrtarët policorë lidhur me këtë rast kanë shoqëruar edhe një person tjetër në stacionin policor, por pas intervistimit me autorizim të prokurorit është liruar.

Zyrtarëve të delegacionit iu është ofruar ndihma mjekësore, por ata kanë refuzuar ndihmën mjekësore me arsyetimin se nuk kanë pësuar asnjë lëndim dhe nuk kanë nevojë për ndihmë.

Pas përfundimit të procedurave policore, delegacioni nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, ka vazhduar rrugën për në destinacionin e tij.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›