E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehen nga Afganistani, 108 komando kërkojnë paratë

Ushtarët shqiptarë që shërbyen në kuadër të Koalicionit Ndërkombëtar kundër Terrorizmit në Afganistan nga gushti 2007 deri në shkurt 2008 nuk kanë marrë ende të gjitha paratë që u takojnë me ligj për këtë shërbim jashtë vendit.

Janë 108 paqeruajtës të Batalionit III të Repartit Ushtarak 11-03 të Garnizonit të Reagimit të Shpejtë "Isa Bolentini" në Poshnjë të rrethit të Beratit, të cilët ndonëse kanë tre muaj që janë kthyer nga misioni në Afganistan ende nuk kanë marrë një pjesë të shpërblimit. Mësohet se një shumë prej njëmijë dollarësh amerikanë për çdo paqeruajtës nuk është dhënë ende, edhe pse ata e kanë përfunduar misionin e ngarkuar tre muaj më parë. Lajmin e bëjnë të ditur vetë paqeruajtësit, të cilët nuk pranojnë të identifikohen për gazetën, pasi i tremben marrjes së masave nga dikasteri. Kjo shumë parash ende nuk është hedhur në llogarinë e tyre rrjedhëse edhe pse këta të fundit kanë bërë disa herë kërkesë pranë Drejtorisë së Financave në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas paqeruajtësve, vetë komandanti i këtij reparti është interesuar pranë instancave përkatëse të dikasterit, por ende deri tani nuk është bërë e mundur të lëvrohet shuma e parave në llogari të paqeruajtësve. Kompania paqeruajtëse e përbërë nga një efektiv prej 108 ushtarakësh dhe që ende nuk kanë marrë shumën e parave në fjalë, është nisur në misionin paqeruajtës në Afganistan nën komandën italiane, por këtë radhë paqeruajtësit shqiptarë e kryen këtë mision nën flamurin kombëtar. Ushtarët e garnizonit të reagimit të shpejtë "Isa Boletini" janë nisur në këtë mision në gusht të vitit 2007 dhe janë kthyer pas 6 muajsh e 18 ditësh shërbim, në muajin shkurt të vitit 2008. Kanë kaluar tre muaj që efektivat e këtij misioni nuk kanë marrë pjesën e mbetur nga rroga që u takon me ligj, prej njëmijë dollarësh amerikanë.

Pagesa e ushtarakëve shqiptarë që marrin pjesë në misione paqeruajtëse jashtë vendit caktohet rast pas rasti me Vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa vendimi për nisjen e trupave në misione jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë bëhet me vendim të Parlamentit. Vendimi për dërgimin në Afganistan të ushtarëve të Garnizonit të Reagimit të Shpejtë "Isa Bolentini" u mor tri ditë para vizitës së Presidentit amerikan Xhorxh Bush në Tiranë. Më 8 qershor 2007, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 91 vota pro dhe asnjë kundër projektligjin "Për dërgimin e një force ushtarake në Afganistan, në kuadër të Koalicionit Ndërkombëtar kundër Terrorizmit". Në muajin gusht, kompania shqiptare iu bashkëngjit kontingjentit italian në Afganistan. Sipas ministrit të Mbrojtjes të asaj kohe, Fatmir Mediu, e veçanta e këtij misioni ishte pjesëmarrja e dy oficerëve shqiptarë, të cilët kishin detyra të posaçme në drejtim të misionit, së bashku me oficerë homologë të vendeve anëtare të NATO-s. Ministria e Mbrojtjes deklaroi në qershor 2007 se për 6 muajt e shërbimit të këtyre ushtarakëve do të shpenzoheshin rreth 127 milionë lekë ose mbi 1 milion euro.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›