Sherri për një vajzë, plagoset rëndë gjimnazisti
Një adoleshent, nxënës i vitit të dytë në Shkollën e Mesme të Përgjithshme në Komunën e Farkës, në periferi të Tiranës, ka përfunduar me plagë të rënda thike në Spitalin Ushtarak, ndërsa autori i plagosjes, bashkëmoshatari i tij, është prangosur. Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 11:00, kur autori dhe viktima kanë debatuar me fjalë e më pas sherri ka degraduar me grushte, duke përfunduar në përdorimin e thikës. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se viktima Dylber Allaraj dhe autori Miriam Tufa janë grindur për një vajzë, e cila është marrë në pyetje nga inspektorët e policisë së zonës. Pas marrjes së informacionit, në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, si dhe specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, duke ndërhyrë dhe kapur autorin e dyshuar të kësaj plagosjeje. "Rreth orës 11:00, në ambientet e jashtme të Shkollës së Mesme të Komunës Farkë, pas një grindjeje për motive të dobëta, është plagosur me armë të ftohtë thikë shtetasi Dylber Allaraj, 19 vjeç, banues në Farkë, nxënës i vitit të dytë pranë kësaj shkolle. Falë organizimit të punës u finalizua kapja e autorit të dyshuar të plagosjes, i cili është shtetasi Miriam Tufa, 19 vjeç, banues në Farkë", thanë burimet zyrtare nga blutë e kryeqytetit. Policia njoftoi gjithashtu se i dëmtuari Dylber Afiz Allaraj ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku është duke marrë ndihmën mjekësore. Në cilësinë e provës materiale, autorit të dyshuar të plagosjes iu sekuestrua thika, ndërkohë që materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme.