E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembje në galeri, vdes minatori 56-vjeçar

Një tjetër minator ka humbur jetën në Bulqizë. Mehmet Rama, 56 vjeç është aksidentuar gjatë orëve të pasdites në minierën e Batër-Martaneshit, në rrethin e Bulqizës. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë lokale, që bënë të ditur se Mehmet Rama punonte në minierën e Batrës ka gjetur vdekjen për shkak të një shembje në galerinë ku punonte për nxjerrjen e mineralit të kromit. 56-vjeçari Rama ishte nga fshati Gurrë i Matit, ndërsa mësohet se vdekja e tij ka qenë e menjëhershme. Ende nuk bëhen të ditura rrethanat e këtij aksidenti, por aktualisht policia e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes është duke realizuar hetimet paraprake. Në galeritë e ish-minierës së Batër-Martaneshit ushtrojnë aktivitetin disa firma private, të cilat kanë marrë me koncesion pjesë të minierës së vjetër. Ky është aksidenti i dytë me vdekje që ndodh në këtë minierë gjatë vitit 2008. Specialistë të minierave në Bulqizë thanë se në galeritë e ish-minierës së Batër-Martaneshit punohet në kushte tejet të vështira dhe mungojnë krejtësisht kushtet e sigurisë. Gjatë dy viteve të fundit, industria e nxjerrjes së kromit ka marrë jetën e më shumë se dhjetë personave në rrethin e Bulqizës. Pjesa më e madhe e aksidenteve kanë ndodhur në minierën e Bulqizës, ku punojnë rreth 640 minatorë, të cilët janë ngritur disa herë në protesta për përmirësimin e kushteve të punës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›