E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për zbatimin e marrëveshjes IBM

Autoritetet kosovare janë bërë gati për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit më Serbinë në fillim të dhjetorit. Kreu i Doganave të Kosovës Naim Huruglica, zyrtarët e EULEX-it dhe ata të policisë së Kosovës i kanë thënë Radio Kosovës se gjithçka nga ana kosovare është në nivelin maksimal përgatitor për fillimin zbatimit të kësaj marrëveshje.

Takimi i radhës në Bruksel në nivelin e lartë politik në mes të Serbisë dhe Kosovës pritet të shënoj edhe fillimin e zbatimit të një nga 8 marrëveshjet e arritura gjatë bisedimeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Megjithëse ende nuk ka garanci të plota nga ana serbe, autoritetet në Kosovë duke filluar nga kryeministri i vendit kanë pohuar se zbatimi i kësaj marrëveshje pritet të nis në fillim të dhjetorit dhe gjithçka është gati për këtë proces.

Dy segmentet kryesore të përfshira në këtë proces policia kufitare dhe doganat janë deklaruar se kanë marr sinjalet për të qenë gati.

Baki Kelani zëdhënës i policisë së Kosovës ka thënë se policia kufitare është gati për të kryer të njëjtat detyra rreth menaxhimit të integruar të kufijve sikurse edhe me pikat tjera.

“Policia e kufitare është e gatshme ta zbatoj çfarëdo marrëveshje apo vendimi që vjen rreth kësaj”, ka thënën Kelani.

Gjithashtu përgatitje të plotë dhe mosekzistimin e asnjë pengese rreth kësaj çështje e ka konfirmuar vetë kreu i Doganave të Kosovës Naim Huruglica.

“Nuk ka ndonjë ndryshim të madh prej asaj që po bëjmë sot. Në realitet I gjithë stafi që është duke punuar në këto vendkalime kufitare do të lëviz në një lokacion të ri që të punohet më afër. Kështu të paktën e kemi kuptuar. Në fakt nuk kërkon kjo ndonjë angazhim të e veçantë që nuk mund ta përmbushim qysh nesër nëse thonë ne jemi të gatshëm”, i ka thënë Huruglica Radio Kosovës.

Zëdhënësja e misionit të BE-së për sundim të ligjit Bardha Azari ka thënë se EULEX-i do të jetë gati për të mbështetur këtë proces dhe se presin që palët t’u përmbahen marrëveshjes për menaxhim të kufijve.

Për këtë marrëveshje së fundi kryeministri i vendit Hashim Thaçi ka thënë se menaxhimi i integruar i kufijve nuk duhet te ngatërrohet me bisedat për kufijtë e Republikës se Kosovës.

Për të njëjtën presidenti serb Nikoliq kishte deklaruar ditë më parë se ideja për menaxhimin e integruar te kufijve ka ardhur nga Beogradi.

Menaxhimi i integruar i kufijve që përfshihet edhe në pakon e Ahtisaarit përfshin, bashkëpunim kombëtar dhe ndërkombëtar ndërmjet te gjitha segmenteve që lidhen me sigurinë e kufijve dhe lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›