Vjelje në Rahovec
Vjeljet në Rahovec kanë vazhduar edhe të dielën, edhe pse në fund të sezonit vjeshtor.
Kësaj radhe, vjeljet ishin politike.
Partia Demokratike e Hashim Thaçit ua ka marrë subjekteve të tjera të këtij qyteti 150 anëtarë.
Për këtë shkak, drejtuesit e Degës së PDK’së në Rahovec kishin organizuar edhe një ceremoni rasti, derisa atje u shfaqen edhe drejtuesit e lartë të partisë, në krye me Nënkryetarin Hajredin Kuçi.
Por, në fjalimet e tyre, drejtuesit e Degës dhe ata të qendrës, nuk i zunë ngoje shumë 150 anëtarët e rinj nga Rahoveci – ata më shumë u morën me anëtarin e ri nga qyteti i Mitrovicës, Kadri Veselin, ish-Shefin e SHIK’ut, i cili ishte i pranishëm në këtë tubim.
“Kadri Veseli po hyn në politikë me idenë që bashkë me mikun e tij të kohëve të vështira, Hashim Thaçin dhe kolegët e tjerë për të avancuar proceset të ndërtimit dhe forcimit të paqes në Kosovë me qëllim të forcimit dhe avancimit e mënyrave që garantojnë një model të zhvillimit më të hovshëm të Kosovës”, tha deputeti rahovecian i PDK’së, Idriz Vehapi.
Ai tha se Veselin e pranuan me admirim në parti për shkak të meritave të tij dhe prestigjin që ka ndërtuar në shtetndërtim.
“Për shkak prestigjit që ka dhe ka ndërtuar deri më tash gjatë përpjekjes për të përtërirë dhe transformuar skenën politike”, tha ai.
Karshi këtyre fjalëve, Veseli që kishte ardhur në shoqërimin e krahut të djathtë të Hashim Thaçit, Nënkryetarit Hajredin Kuçi, doli modest.
Ai i quajti të tepërta lëvdatat që iu adresuan.
“Unë ju falënderoj, por së pari them që ishin pak fjalë të mëdha edhe teprime, më vjen keq në qoftë se them këtë, faleminderit i nderuar deputet”, tha Veseli.
Më pas u foli të pranishmëve në sallë duke ua kumtuar lajmin se idesë së tij për kyçjen në PDK e ka ndjek edhe djali i veprimtarit të shquar Ukshin Hoti, e i cili të dielën mori edhe librezën e anëtarësimit në PDK.
“Është hera e parë që ju drejtohem si anëtar i PDK’së, këtu në Rahovecin e Ukshin Hotit, ku fatmirësisht e kemi edhe djalin e tij, Andinin”, ka thënë Veseli.
Më tej, ish-Shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, i cili zyrtarisht ka vetëm pak javë në jetën politike, foli edhe për misionet e tij si politikan - zhvillimin ekonomik dhe luftimin e varfërisë në Kosovë.
Rahovecianëve Veseli iu tha se qyteti i tyre duhet të shndërrohet në promotorë të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.
“Rahoveci është i bukur si Toskana në Itali dhe Bordo në Francë”, ka thënë Veseli.
Për përafrimin e Rahovecit me dy vendet europiane edhe për nga zhvillimi ekonomik, Veseli shpalosi edhe ide.
“Lufta kundër varfërisë në Rahovec nuk fitohet në Prishtinë, ajo duhet të fitohet në këtë vend në Rahovec”, tha ai.
“Duhet punuar me përkushtim maksimal. Punës së palodhshme, duhet t’i shtohen edhe stimulimet për vreshtarët dhe largimi nga taksat. Ky përkushtim, duhet të përhapët çdo kund, në familje, në lagje, në fshatra dhe qytete”, tha Veseli.
Të rinjve të sapoardhur në PDK, librezat ua shpërndau Nënkryetari Hajredin Kuçi. Ai tha se aderimet e reja në parti po tregojnë se ajo është në rrugë të mbarë. Ndërkohë që as Kuçi nuk i kurseu fjalët e tij për tashmë kolegun e partisë, Kadri Veseli.
“Unë Kadri Veselit i them se e ke pasur këmbën e hairit, faleminderit Kadri”, nisi ai fjalimin, ku foli për prurjet e reja në PDK.
“Sot u përmenden shumë figura, por unë po i veçoj dy, edhe Kadri Veselin, por edhe Andin Ukshin Hotin. Të dyve do t’u them kështu, ëndrrat tuaja nuk mund t’i realizoni vetëm në PDK, ëndrrat tuaja janë për krejt shtetin dhe kombin shqiptar. Filozofia e Ukshin Hotit është filozofi kombëtare me ndikim kombëtar, por nëse ne do të arrijmë të jemi vetëm krah i asaj filozofike, ne do të ndihemi mirë. Ukshin Hoti nuk është vetëm i Rahovecit, por i krejt kombit shqiptar, e Kadri Veseli ka punuar për lirimin e Kosovës dhe sot po bën mirë për ta forcuar demokracinë e Kosovës”, tha Kuçi.