E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyfishimi i borxhit, alarm i ekspertëve dhe FMN-së

Ekspertët e ekonomisë e kanë vlerësuar si aventurë rritjen në 7.9% të deficitit buxhetor

"Rritja në 1.1 miliardë dollarë e deficitit buxhetor në 2008 cenon stabilitetin financiar"

Debati mbi tronditjet financiare që mund të sjellë dyfishimi i nivelit të deficitit buxhetor është rikthyer midis specialistëve të ekonomisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Ekspertët e ekonomisë bëjnë të ditur se marrja borxh në këto nivele për realizimin e vetëm një investimi, mund të rrezikojë gjithë sistemin financiar në vend. Ish zëvendësministrja e Financave, Ardiana Berberi ka bërë të ditur se qeveria ka gjetur si justifikim për këtë nivel rekord të deficitit buxhetor, faktin se ka një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Duke i kërkuar që të reagojë për këtë situatë Fondit Monetar Ndërkombëtar, Berberi ka deklaruar se: "Kriza e likuiditetit në vitin 2001 ndodhi në një kohë që kishim një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, gjithashtu dhe rritja e ndjeshme e deficitit buxhetor po ndodh në një kohë që kemi një marrëveshje me FMN". Gjatë vitit 2008 deficiti buxhetor është llogaritur që të shkojë në 7.9 për qind, ose në një nivel prej rreth 1.1 miliardë dollarë. "Deficiti është rritur tre herë më shumë krahasuar me një vit më parë dhe kjo nuk është një situatë normale",- tha specialisti i Financave Publike, Gjergj Teneqexhiu. Por përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të pranishëm në këtë tryezë të organizuar nga Fondacioni "SOROS", kanë bërë të ditur se gjatë muajit Maj të këtij viti një delegacion i Fondit Monetar Ndërkombëtar do të diskutojë edhe njëherë me qeverinë për marrëveshjen 3-vjeçare. Misioni i radhës i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të vizitojë Shqipërinë nga data 30 prill-13 ,aj, gjatë të cilit do të rishikojë marrëveshjen 3-vjeçare PGRF/EFF ("Fondi i Reduktimit të Varfërisë dhe Rritjes Ekonomike", (PRGF) dhe Marrëveshjes së "Fondit të Përgjithshëm" (EFF), si dhe do të ndalet në diskutimet për Artikullin 4. Diskutimet rreth këtij Artikulli, i cili organizohet në çdo vend anëtar të FMN-së, do të ndalen në një vështrim të thelluar të zhvillimeve ekonomike të Shqipërisë, ndërsa do të jepen rekomandimet e nevojshme. Rishikimi i Marrëveshjes 3-vjeçare PGRF/EFF, që do të bëhet për hartimin e memorandumit të politikave ekonomike dhe financiare, bëhet 2 herë në vit. Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi në datën 28 Mars 2008, rishikimin e katërt të performancës ekonomike dhe garancive financiare të Shqipërisë, në kuadrin e marrëveshjes trevjeçare. Monitorimi i buxhetit të shtetit 2008, për herë të parë bëhet pjesë edhe e diskutimeve mes shoqërisë civile dhe ekspertëve të ekonomisë. "Fondacioni "Shoqëria e Hapur për Shqipërinë" SOROS, në kuadër të projektit "Monitorimi i buxhetit të shtetit 2008", organizoi gjatë ditës së djeshme këtë tryezë me temë "Buxheti 2008: problematika që shoqëron alokimin e fondeve dhe zbatimin e tij në këtë fillimviti". Në diskutimet e ekspertëve të ekonomisë, Selim Belortaja dhe Gjergj Teneqexhi, u vu theksi në nevojën që ka publiku për të njohur zbatimin e ligjshmërisë në hartimin e Buxhetit të Shtetit, detajimin e programit të shpenzimeve buxhetore, shpërndarjen e fondeve të buxhetit të shtetit, zbatimin e projekteve që ato mbështesin, përmirësimet në strukturat e pagave, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›