Grekët, TEC 800 MW me qymyr në Shqipëri
Kompania shtetërore greke e Energjisë dhe kompania gjermane "RWE" nënshkruan dje kontratën për ngritjen e TEC-it në Shqipëri
Kompanitë presin nënshkrimin e marrëveshjes me palën shqiptare, për TEC-in që s'u ndërtua dot në Greqi
Bordi drejtues i kompanisë publike greke të Energjisë (PPC) nënshkroi gjatë ditës së djeshme një kontratë bashkëpunimi me kompaninë gjermane "RWE AG", sipas të cilës, parashikohet që të ndërtohet një TEC me qymyr në Shqipëri. Nënshkrimi i kontratës është bërë publike nga vetë kompania shtetërore greke e Energjisë gjatë ditës së djeshme. Kompania shtetërore greke e Energjisë prej muajsh është në negociata me kompaninë gjermane "RWE" për ndërtimin e këtij TEC-i me qymyr në Greqi, por projekti është bërë i pamundur për t'u realizuar pas protestave të komunitetit ku do të ndërtohej ky impiant energjie. Kontrata e lidhur dje midis kompanive, do të lindë një kompani të re nga bashkimi i këtyre kapitaleve në ndërtimin e TEC-it në Shqipëri.
***
Burime nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se, ende nuk ka një marrëveshje midis palës shqiptare dhe këtij konsorciumi, që kërkon të ndërtojë këtë TEC me energjie të prodhuar nga djegia e qymyrit. Të njëjtat burime zyrtare sqarojnë se, tashmë, nga ana e këtij konsorciumi është paraqitur projekti për ndërtimin e një TEC-i në Shqipëri, me një fuqi që shkon nga 500-800 MW. Dy kompanitë që do të ndërtojnë këtë TEC me fuqi 500-800 MW në Shqipëri bëjnë të ditur se kompania gjermane "RWE" do të ketë 51 për qind të aksioneve të konsorciumit, kompania shtetërore greke e Energjisë 39 për qind të aksioneve dhe kompania greke e Çimentos "Titan", që është aktualisht prezente me aktivitet në Shqipëri, do të ketë 10 për qind të aksioneve. Projekti i TEC-it që parashikohej të ndërtohej në Greqi, kishte një kapacitet prej 1 600 MW.
***
Projekti i TEC-it me qymyr ishte parashikuar që të ndërtohej nga kompania shtetërore greke e Energjisë, kompania gjermane "RWE" dhe kompania greke e Çimentos "Titan", në zonën e Kavallës, në Verilindje të Greqisë. Por pas rezistencës të fortë që bëri komuniteti i kësaj zone për mos ngritjen e këtij TEC-i që është një burim i madh ndotje dhe sëmundjesh për shëndetin, konsorciumi u tërhoq. Vetë kompania greke e Energjisë bëri të ditur se ky ishte një shans i humbur për Greqinë dhe tashmë ky konsorcium do detyrohet që ta ndërtojë këtë TEC në Shqipëri. Edhe opozita e majtë në shtetin fqinj ka deklaruar se ka qenë ajo iniciatore e anulimit të këtij projekti, që mbart kosto të mëdha ambientale dhe shëndetësore për banorët e zonës së Kavallës dhe gjithë Greqisë. Por është për t'u çuditur fakti që, megjithëse ka hasur një rezistencë të fortë në shtetin fqinj, ky konsorcium e ka bërë fakt të kryer ngritjen e këtij TEC-i me një fuqi tepër të madhe në Shqipëri. Megjithëse, pala shqiptare ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar për këtë çështje dhe aq më pak të jetë përcaktuar zona dhe informuar komuniteti për këtë projekt energjie.
+++
Aksionet e konsorciumit
51% kompania gjermane "RWE"
39% kompania shtetërore greke e Energjisë
10% kompania greke e Çimentos "Titan"