Dyfishohen pagat e deputetëve të Kosovës, arrin në 2000 euro në muaj
PRISHTINË - Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë një zyrtar i lartë i kushton shtrenjtë buxhetit të shtetit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Komisioni për Buxhet dhe Financa i ka rekomanduar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës rritjen e pagave të deputetëve si dhe blerjen e një veture të blinduar, e cila do të shërbente jo vetëm për nevoja të kryetarit të Kuvendit, por edhe për përdorimin në pritje të delegacioneve të huaja në rastet kur qëndrojnë për vizita zyrtare në Kosovë.
Paga bazë e deputetëve është parashikuar të bëhet 1.500 euro, pa llogaritur shtesat e tjera për pjesëmarrjet në seanca plenare dhe angazhime brenda komisioneve parlamentare. Me këto shtesa pritet që paga e deputetit të afrohet në 2000 euro. Aktualisht, paga bazë e deputetit është 1080 euro. Po ashtu, sipas medieve të përditshme të Prishtinës, nga rritja e pagave do të përfitojnë edhe nivelet më të larta të Kuvendit – ky përfshihen anëtarët e kryesisë së Kuvendit dhe kryeparlamentari. Kështu, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, veç pagës bazë prej 2400 eurosh do të marrë edhe 400 euro shtesë, ndërsa anëtarët e Kryesisë do të merrnin edhe nga 200 euro shtesë nga paga bazë e tyre.
29 Qershor 2009