E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, kutia e parë, PD në avantazh

 

GJIROKASTER – Kutia e parë e votimit e numëruar në Gjirokastër nxorri në avantazh PD në krahasim me PS, ndërsa në mënyrë të barabartë ishin këto dy parti në Tepelenë. Numërimi nisi në orët e para të mëngjesit, për shkak të largësisë së qendrave të votimit me KZAZ-të. Plot 129.600 shtetas me të drejtë vote janë thirrur në qendrat e votimit në Qarkun e Gjirokastrës, por rreth 53 për qind janë paraqitur. Qendrat e votimit janë çelur në orën 07:00 të mëngjesit të djeshëm, me përjashtim të qendrës së votimit në fshatin Mezhgoran të Komunës Qendër Tepelenë, ku materialet zgjedhore nuk janë tërhequr nga komisionerët e të dy forcave politike të këtij fshati, me arsyetimin e abandonimit të zgjedhjeve. Shkaku duket mungesa e investimeve në këtë fshat gjatë 18 viteve të fundit. Ndërkaq nuk kanë munguar edhe incidentet e para në qendrat e votimit në rrethet e Gjirokastrës dhe Tepelenës. Sipas komunikatave të njëpasnjëshme të shtypit, të dala nga selia e PS të Gjirokastrës, bëhen prezent rastet flagrante të pretenduara të dhunës dhe presioneve. Kështu sipas PS-së, drejtues të lartë të administratës shtetërore, militantë të PD, bëjnë presion ndaj votuesve në qendra të ndryshme të votimit. Ndërsa kandidati i PS-së, Vangjel Tavo, kërkoi vëzhgues në Lazarat, duke pretenduar se orët e mbylljes së votimit janë ato ku bëhet manipulimi i votave.   p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›