E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, nusja me fustan të bardhë në qendrën e votimit

 

SARANDE – Një votuese e veçantë ka mbërritur paraditen e djeshme në qendrën e votimit të ngritur te shkolla 9-vjeçare “Adem Sheme”. E veshur me të bardha, një nuse ka depërtuar në qendrën e votimit. Fustani, velloja dhe buqeta e luleve në dorë nuk e kanë penguar vajzën e re nga Saranda, Orgeta Alimema, për të votuar. Alimema, e cila do të nisej për në fshatin Gjashtë, në familjen e dhëndrit, Fatjon Rexha, u shpreh për mediat, se nuk mund të vazhdonte ceremoninë e martesës pa votuar. Kështu, që me dëshirën e saj, mjeti tip “Mercedes-Benz” kabriolet, ka devijuar nga rruga kryesore që të shpie për në Gjashtë, duke ndaluar bashkë më gjithë dasmorët dhe atmosferën festive, në oborrin e shkollës, “Adem Sheme”. Aty, kanë votuar edhe nusja e re dhe familjarët e saj. Për Orgetën nuk ka qenë aspak e vështirë që me fustanin e bardhë të lëvizte brenda qendrës së votimit, të lyente gishtin me bojë të zezë e më pas në dhomën e fshehtë të shënonte në bazë të pëlqimit të saj mbi subjektin elektoral. Të gjithë komisionerët, vëzhguesit dhe qytetarët që mbanin radhën për të votuar janë habitur nga prania e një nuseje, ndonëse dita ishte e diel dhe përkon me sezonin e martesave. Orgeta dhe familjarët e saj ishin disa prej qytetarëve të nënprefekturës së Sarandës që hodhën votat e tyre në kutitë e votimit ditën e djeshme. Në të gjithë qendrat e votimit, procesi ka kaluar pa incidente të rënda. Angazhimi i qytetarëve për të votuar është dukur dhe në tërheqjen e kartave të identitetit, të cilat nuk ishin marrë prej momentit të aplikimit. Zyrat e aplikimit për letërnjoftimet e reja elektronike në Bashkinë e Sarandës kanë raportuar se nga 500 karta të patërhequra në mëngjesin e të dielës, janë tërhequr rreth 300 të tjera dhe pritet që shifra e tyre të zbresë shumë, pasi është verifikuar se në masë letërnjoftimet e patërhequra u përkasin emigrantëve që vijnë për të votuar nga ora në orë, sidomos nga Greqia.             sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›