Fier, bllokohet një qendër votimi
Jo pak, por 16 deputetë nxjerr qarku i Fierit nga zgjedhjet e djeshme parlamentare. Megjithatë, emrat e tyre deri në orën 02:00 nuk diheshin ende, për shkak se numërimi i votave nisi vetëm atëherë. Dhe pse procesi i votimit u mbyll në kohën e duhur, procedurat sollën vonesën e nisjes së numërimit.
Qysh në orët e para të mëngjesit, infrastruktura zgjedhore ka qenë deri diku e përfunduar, me disa probleme të vogla në disa qendra votimi. Në qarkun e Fierit votojnë 331.155 zgjedhës, në rrethet Fier, Lushnjë dhe Mallakastër, por vetëm 50 për qind e tyre hodhën votën. Vetëm në Bashkinë e Fierit u votua në 78 qendra votimi, 6 prej tyre të vendosura në ambiente private dhe të tjerat në ambiente publike, ku votuan 65 335 zgjedhës. Në disa qendra votimi ka pasur probleme për ambientet, ato kanë qenë pamjaftueshme dhe shpesh të papërshtatshme për një proces të kënaqshëm, por gjithsesi kjo nuk ka cenuar procesin e votimit. Ajo çka ka cenuar procesin është shfaqur dukshëm në disa fshatra të rrethit të Fierit. Në fshatin Ruzhdie, procesi i votimit ka startuar në orën 07:30 dhe ka ecur me ritme normale deri në orën 10:00. Pas kësaj ore ka nisur një debat midis komisionerëve, të cilët i kanë vënë njëri-tjetrit në dukje probleme të tilla që cenonin procesin. Problemet e ngritura nga komisionerët ishin ato si: votime kolektive apo edhe mungesa e bojës së sigurisë, ndërsa pas kësaj gjithçka ka degjeneruar duke i kaluar caqet e debatit me fjalë. Situata pas kësaj është tensionuar dhe komisioneri i Partisë Socialistë ka deklaruar se është kërcënuar me armë. Menjëherë pas incidentit, në këtë qendër procesi i votimit është bllokuar dhe nuk rifilloi, duke pezulluar votimin. Ndërkohë, burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se komisioneri për arsye sigurie ka depozituar edhe padinë në prokurori. Probleme janë shfaqur edhe në komunën Dermenas dhe pikërisht në fshatin Sulaj. Banorët u janë drejtuar qendrave të votimit normalisht, por në ambientet e këtyre qendrave janë parë elementë që cenonin procesin ashtu sikurse është votimi në grup. Por mesa duket kjo mënyrë joligjore ka gjetur mbështetjen e të dyja forcave kryesore në komisionet përkatëse, pasi nuk ka pasur asnjë ankimim nga palët. E bllokuar është situata zgjedhore dhe në fshatrat e komunës së Portëzës. Banorët e tyre kanë vijuar dhe dje protestën e nisur që të shtunën. Ata e kanë kaluar natën jashtë, duke penguar mbërritjen e materialeve zgjedhore, ashtu si dhe kishin paralajmëruar. Sipas tyre, kjo është “arma” e vetme kundër premtimeve boshe të pushtetarëve. Në fshatrat Kallm dhe Mbrostar ka pasur probleme, për shkak të mungesës së bojës së sigurisë dhe votimit kolektiv.