Spitalet e maternitetet, pacientëve u “mohohet” vota
Asnjë grimë e atmosferës zgjedhore që përfshiu dje të gjithë shqiptarët. Sapo kapërceje shkallët e dy materniteteve më të mëdha në vend dhe spitalit “Nënë Tereza” të dukej se ishte një e dielë krejt e zakonshme. Gjurmët e interesimit për votën e partisë së preferuar nuk dukeshin kurrkund. Vetëm një pavijon në QSU bënte përjashtim. Një pjesë e mirë e të sëmurëve me zemër, të shtruar te kardiologjia, kishin lënë spitalin e ishin kthyer sërish pasi kishin votuar. Diskutimet për manipulimet, bojën që fshihej e të tjera detaje të kësaj natyre ishin tema e ditës. Kjo ndoshta për faktin se pjesa më e madhe e të shtruarve janë të moshuar. ”Nga ora 12 erdhi djali më mori, shkova votova e u ktheva prapë. E kemi detyrim njëherë në katër vjet këtë punë”, tha Bakiu, një i moshuar rreth të 60-tave. Në shërbimet e tjera, ku edhe sëmundjet janë më të rënda, askush nuk e vriste mendjen për kutitë e votimit. Teksa i pyesje të shikonin vëngër. Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2005, kur pacientëve në spitale e maternitetet ju çuan aty ku ishin shtruar fletët e votimit, kësaj here nuk u bë asnjë përjashtim nga rregulli. ”Unë kam marrë me vete kartën e identitetit se na thanë infermieret që do të votonim këtu, por askush nuk erdhi. Dëshirë kisha por e kam të pamundur”, u shpreh një nga gratë shtatzëna, e cila prej dy ditësh është shtruar në pavijonin e patologjisë së barrës te maternitetit “Koço Gliozheni”. Edhe personeli i mesëm, teksa pranonte se askush nuk kishte shkuar për t’i pyetur për votimet shprehu rezervat e veta. ”Gjithmonë kanë votuar këtu gratë e sëmura, bëj llogari gjithsej mund të jenë 100 gra vetëm te ky maternitet që janë të shtruara ose kanë lindur dhe asnjëra s’ka votuar”, tregonin infermieret e maternitetit të ri. E njëjta panoramë edhe te “Mbretëresha Geraldinë”. ”As me shkoi mendja për të votuar, të rri në radhë unë e sëmurë kur asnjë nga partitë s’do t’ia dijë për ne”, ishte një refren i përsëritur në pavijonet e këtij materniteti. z.ll