Dyfishohet numri i gjyqtarëve në Durrës
11/02/2010 KLD-ja premton dhe fonde investimi. Ervin Metalla: Kushte dhe infrastrukturë
Kreu Kreshnik Spahiu tërheq vëmendjen: Më ritëm gjatë proceseve
DURRES- Gjykata e Durrësit brenda këtij viti do të ketë dy herë më shumë gjyqtarë ngase ka sot në organike. Deklarimi për rritjen e numrit të gjyqtarëve nga 13 në 24 gjyqtarë e ka bërë nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, gjatë analizës vjetore në Durrës. “Shqipëria ka detyrime ligjore për të përmbushur kriteret në kuadër të plotësimit të standardeve për aderim në BE dhe një ndër to është edhe reforma në drejtësi”,-ka bërë të ditur Spahiu. Numri dy i KLD-së ka ndjekur deri në fund të gjithë materialin e përgatitur nga kryetari i gjykatës Ervin Metalla dhe në përfundim ka deklaruar se gjyqtarët do të kenë kushte dhe infrastrukturë të nivelit bashkëkohor për të dhënë drejtësi. “Durrësi është kryeqyteti i dytë në Shqipëri dhe krahas dyfishimit të numrit të gjyqtarëve do të dy ose më shumëfishojmë investimet në infrastrukturë, buxhetin e institucionit dhe komoditetet në ushtrimin e profesionit”,-bëri të ditur nënkryetari KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ai ka bërë të ditur se gjykata e Durrësit është e vetmja gjykatë në vitet e fundit me gjyqtarë provizor e në stazh dhe pothuajse fare me prurje gjyqtarësh definitiv. Spahiu vlerësoi numrin e lartë të çështjeve të shqyrtuara nga një gjyqtarë, ku në Durrës shkon deri në 500 çështje, ndërsa u shpreh skeptik lidhur me numrin e vogël të çështjeve penale të shqyrtuara. Spahiu ka kërkuar standarde në vendimmarrje dhe për këtë ka sjellë si shembull ankimimet. “Në Gjykatën e Apelit janë ankimuar 260 vendime të gjykatës së rrethit gjyqësor të Durrësit, kurse Shkalla e Parë e Gjykatës së Krimeve të Rënda ka regjistruar vetëm 136 çështje për gjykim”,-ka tërhequr vëmendjen nënkryetari i KLD-së.