Ushtar i NATO-s, dyndje të rinjsh në Elbasan
11/02/2010 Disa sistemohen me punë në qendrat e mëdha, më të mirët shkojnë në Afganistan, Çad, Bosnjë
ELBASAN- Edhe në qarkun e Elbasanit ka dyndje nga të rinjtë dhe të rejat për të qenë pjesë e efektivave të fuqisë më të madhe ushtarake sot në botë, NATO-s. Sipas shefit të degës ushtarake, major Avni Ibrahimit, gjithçka është duke u realizuar sipas udhëzimeve të dërguara nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm. “Në këtë kuadër Qendra e Rekrutim Mobilizimit në qarkun e Elbasanit ka si mision rekrutimin e ushtarëve profesionistë”, shprehet major Ibrahimi.
Kandidatët
“Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat organizative duke bërë marketing dhe takime të drejtpërdrejta në komunitet dhe me drejtues të shkollave të mesme, universitetet dhe zyrat e punësimit në të gjithë qarkun”. Shefi i qendrës shprehet se gjatë këtij viti është shtuar interesi i djemve dhe vajzave për t’u regjistruar si kandidatë për të fituar statusin e forcave të armatosura. “Nga fillimi i vitit e deri më tani janë paraqitur rreth 160 djem e vajza që janë informuar për procedurat, kriteret dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë. Nga kjo sasi kanë përmbushur kriteret 27 shtetas që më pas kanë plotësuar dokumentacionin dhe janë dërguar për testim në Qendrën e Personelit dhe Rekrutimit në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë. Rreth 30% e tyre janë vajza dhe 70% janë djem”. Por përzgjedhja nuk mbaron me kaq. Kandidatët i nënshtrohen edhe dy testeve të tjera në akademi, testit fizik dhe testit intelektual dhe vetëm pasi fitojnë edhe këtë test mund të punësohen automatikisht në Forcat e Armatosura. Për vitin e kaluar nga Elbasani u punësuan 79 veta. Ndërsa për këtë vit janë në plan 85 vetë. Fituesit do të sistemohen me punë në repartet e forcave të armatosura në Tiranë, Durrës e Elbasan. Kërkesat më të mëdha janë nga djem që kanë mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme ose profesionale. Ata dëshirojnë të punësohen në sektorët që kanë dëshirë. Ndërsa kandidatët që kanë përfunduar shkollën e lartë janë kryesisht nga mësuesia, që kanë mbaruar ekonomikun, psikologjinë dhe infermierinë. Pjesa elitare e të përzgjedhurve angazhohen në misionet e NATO-s në Afganistan, Bosnjë, Çad etj. Paga fillestare e fituesve është 30 mijë lekë të reja. Por kjo pagë ndryshon e rritet në varësi të gradës dhe karrierës. Major Avni Ibrahimi shprehet se për të realizuar objektivin në Librazhd ka kontribute të mëdha Besnik Doda, në Gramsh Sadik Sadiku, në Peqin Ardian Iliriani dhe në Elbasan Ismet Prrenjasi dhe Greta Osmani. “Kemi pasur bashkëpunime mjaft të mira me prefektin Shefqet Deliallisi, kryetarët e bashkive dhe komunave, rektorin, drejtorët e drejtorive arsimore, policinë dhe gjithë institucionet”, nënvizon major Avni Ibrahimi. Veç kësaj detyre Qendra e Rekrutim Mobilizimit në Elbasan vazhdon aktivitetin në interes të qytetarëve për pajisjen me vërtetime për kryerjen e shërbimit ushtarak për efekt pensioni, kempi, për ambasadat etj.