E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat e NB-ve, nën verifikimin e komisionit

11/02/2010  Nuk do të priten më ankesa nga qytetarët
ELBASAN- Komisioni i Verifikimit të Pasurive nuk do të presë më ankesa nga qytetarët, por do të verifikojë direkt tapitë e marra në tokat e NB-ve. Këshilli i Ministrave sjell udhëzim të ri në prefekturë për verifikimin e pronave të ish NB-ve. Me një shkresë të posaçme qeveria i kërkon Komisionit të Verifikimit të Pasurive dhe Prefektit që të nisin punën e pavarur për të verifikuar se si kanë përfunduar pronat e ish NB-ve. Gjithçka ka marrë shkak nga konstatimi i abuzimeve në këtë drejtim nga ky komision. Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, u shpreh se “mjaftoi vetëm një verifikim i thjeshtë dhe 50 mijë m2 të marra padrejtësisht ju kthyen shtetit. Kjo po tregon se mbajtja në fuqi e ligjit 7501 për kooperativat dhe fermat ka pasur abuzime të pallogaritshme. Duke konstatuar këto abuzime Këshilli i Ministrave ka sjellë një udhëzim ekstra për Komisionin e Verifikimit të Pasurive, i cili e detyron jo të presë më ankesa nga qytetarë, por të verifikojë direkt tapitë që kanë marrë njerëzit nga shpërndarja e tokave të fermave që kishte Elbasani”. Sipas të dhënave të komisionit, rezulton se mjaft qytetarë kanë përfituar padrejtësisht tokë nga ish NB-të duke mos pasur asnjë lidhje me fermat ose duke marrë toka nga fermat dhe kooperativat nëpërmjet komisioneve edhe pse nuk figuronin si punonjës të tyre. Në raste të tjera toka është shitur e rishitur disa herë duke kaluar në mjaft duar. Sipas këtij udhëzimi, në proces verifikimi janë dy ish NB-të e Elbasanit ajo e Hajdaranit dhe ferma e Elbasanit, NB-Peqin, NB Belësh dhe NB Cërrik. Sipas këtij udhëzimi, anëtarët e Komisionit të Verifikimit do të marrin dokumentacionin në zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bashkë me hartat respektive, gjendjen juridike të pronësisë dhe çdo dokument tjetër që lidhet me këto prona. Pas verifikimit, nëse do të konstatohen shkelje, atëherë merret vendim dhe toka i kalon në pronësi shtetit për kompensimin e ish-pronarëve. Në të kundërt komisioni jep një akt riverifikimi dhe konfirmimi. Nëse ka parregullsi komisioni i drejtohet gjykatës për tjetërsimin e pronës nga individi në shtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›