E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyfishohet numri i të prekurve me HIV–AIDS e hpatit B

23/01/2012  Moshat e reja dhe kryeqytetasit më të rrezikuarit. Shkak kontaktet seksuale të pambrojtura

Marrëdhëniet seksuale të pambrojtura janë bërë shkak për shtimin e sëmundjeve të SIDA-s e hepatiteve B dhe C. Të dhënat e raportuara nga strukturat shëndetësore tregojnë se mbi 90 për qind e pacientëve të evidentuar gjatë vitit që lamë pas me këto sëmundje janë bërë mbartës të virusit nëpërmjet kontakteve seksuale të pambrojtura. Konkretisht, numri i pacientëve të rinj që i janë shtuar listës së të prekurve me HIV-AIDS gjatë vitit 2011 ka mbërritur në 72, shifër kjo dy herë më e lartë se e ajo e raportuar një vit më parë. Epidemiologu Halil Stana ka konfirmuar se moshat e reja dhe veçanërisht kryeqytetasit mbeten më të rrezikuarit, pasi përbëjnë pjesën dërrmuese të mbartësve të këtyre viruseve. "Rreth 72 raste i përkasin vitit 2011, nga të cilat Tirana ka pasur 34 raste. Nga këto 92 për qind e tyre e kanë marrë virusin me rrugë seksuale. Sot numërohen 161 raste në mjekim, nga të cilët 14 janë fëmijë dhe të tjerët janë të rritur", - ka pohuar Stana. Megjithatë, krahas sëmundjes së frikshme të SIDA-s shqetësuese raportohen të jenë edhe hepatitet B dhe C, që po ashtu kanë pësuar rritje alarmuese. Edhe në këtë rast shkak për dyfishim të mbartëse janë bërë kontaktet seksuale të pambrojtura. Ajo çfarë është dhe më shqetësuese, sipas mjekëve, mbetet fakti i zbulimit të sëmundjes në fazat më të rënduara, për shkak se hepatitet zhvillohen për një kohë të gjatë pa shfaqur simptoma të dukshme. Vetëm Qendra e Dhurimit të Gjakut ka kthyer mbrapsht mbi 500 persona, duke mos i lejuar ata të japin gjak, pasi rezultuan mbartës të hepatit B. "Nga Qendra e Gjakut janë bërë analiza dhe kanë rezultuar 88 raste me hepatit B, që nuk janë të sëmurë, por janë burim infeksioni për të dhënë të tjerëve. Nga Qendra Kombëtare e Konservimit të Gjakut nga analizat e kryera vetëm në Tiranë janë përjashtuar 592 veta për të mos dhuruar gjak, për të cilët pjesa më e madhe është hepatiti B", - ka shtuar më tej Stana. Për të mbajtur nën kontroll këto sëmundje, të cilat, nëse nuk trajtohen në kohë, mund të shoqërohen me pasoja fatale për jetën, këshillohet përdorimi i metodave mbrojtëse gjatë aktivitetit seksual si dhe kryerja e analizave të shpeshta te mjeku specialist, në mënyrë që virusi të zbulohet sa më herët dhe trajtimi mund të jetë më efikas. Kujdes të veçantë në këto raste duhet të tregojnë nënat e reja, që duhet të bëjnë analizat për të verifikuar nëse janë mbartëse të këtyre viruseve, në mënyrë që të mos ua kalojnë sëmundjen bebeve që duan të sjellin në jetë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›