Dygolesh i Beqirit Lenkoran merr kreun
Elvin Beqiri shndërrohet në lojtarin më vendimtar të Khazar Lenkoran në këtë fund të vitit 2010. Mbrojtësi shkodran është kthyer në goleadorin e skuadrës azerbajxhanase, në triumfin 0-2 në fushën e MOIK. 30-vjeçari, i cili grumbullohet vetëm në mënyrë sporadike nga trajneri Josip Kuzhe në Kombëtaren shqiptare, ishte autori i të dy rrjetave që i dhanë Lenkoranit kreun e klasifikimit në Premierligën azere, ku ngjiten në kuotën e 40 pikëve pas 18 ndeshjeve. Beqiri hapi serinë e golave në minutën e 27 të takimit, pasi ka devijuar drejt rrjetës një top të ardhur nga goditja e këndit. Vetëm 12 minuta më pas, ai shënoi sërish, duke vulosur triumfin e skuadrës që ndryshe njihet me nofkën “Çelsi kaukazian”, për shkak të financave të pashtershme të klubit. Me këtë paraqitje, duket se ish-titullari i përfaqësueses ka siguruar rinovimin e kontratës në ekipin që ka si pronar manjatin Mubariz Mansimov. Në fakt, Beqiri është në bisedime për të vazhduar qëndrimin te Khazar Lenkoran, ndërsa nuk mungojnë as ofertat nga kampionatet e tjera. Me dygolëshin e së shtunës, shkodrani ngjitet në kuotën e 4 golave në kampionat, ndërsa gjatë këtij sezoni ai ka dhënë edhe një asist.