E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia pushton Gjeorgjinë, trupat deri në kryeqytet

Rusia e refuzoi armëpushimin e nënshkruan nga Presidenti gjeorgjian, Sakashvili, duke vazhduar një pushtim të plotë të Gjeorgjisë edhe me këmbësorë, pasi hyri përtej territorit të republikave separatiste deri pranë kryeqytetit. 

 Rusët hapën një front të ri lufte në Abkhazi, ata i kërkuar trupave gjeorgjiane me ultimatum, që të tërhiqen nga kufiri me Abkhazinë, e cila vetëm një ditë më parë shpalli 10 ditë gjendje lufte me Gjeorgjinë. Rusia konfirmoi se trupat e saj kishin avancuar 40 kilometra nga rajoni i shkëputur i Abkhazisë në qytetin e Senakit, që ndodhet brenda administrimit gjeorgjian, duke i detyruar forcat gjeorgjiane të tërhiqen në Tbilisi për të mbrojtur kryeqytetin e tyre përballë ushtrisë ruse. “Ushtria pushtuese e federatës ruse ka hyrë në territorin gjeorgjian jashtë zonave të konfliktit të Abkhazisë dhe Osetisës së Jugut. Ushtria gjeorgjiane po tërhiqet për të mbrojtur kryeqytetin”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme gjeorgjiane. Rusia e ka kritikuar Gjeorgjinë se kishte dështuar t’i bindej një armëpushimi, që ajo e njoftoi një ditë më parë, dhe Kryeministri Vladimir Putin sulmoi ashpër Shtetet e Bashkuara për një mentalitet “cinik” të Luftës së Ftohtë në mbështetje të aleates së saj të ngushtë Gjeorgjisë. Të paktën gjashtë helikopterë gjeorgjianë nisën bombardimin e objektivave në rajon rreth kryeqytetit të Osetisë së Jugut, Tshkinvali, njoftoi një dëshmitar për agjencinë “Reuters”. Veprimi duket si një urdhër anulimi për një deklaratë gjeorgjiane për t’i dhënë fund aktivitetit ushtarak ndaj rajonit separatist. Rusia dhe Gjeorgjia akuzojnë njëra-tjetrën se po arrestojnë qytetarë të pafajshëm të vendeve reciproke. Të dy vendet i kanë mohuar akuzat e palës tjetër. Ndërkohë, presidentët e pesë vendeve të ish-sferës sovjetike, Polonisë, Ukrainës dhe tre vendeve baltike do të nisen urgjent për në Tbilisi, për të mbështetur Gjeorgjinë. Lajmin e  njoftoi për AFP-në një këshilltar i Presidentit polak, Lech Kaczynski. Presidenti Sakashvili u kërkoi aleatëve të tij perëndimorë të sigurojnë më shumë se përkrahje me Rusinë në konfliktin e Gjeorgjisë, lidhur me rajonin separatist të Osetisë së Jugut. Rusia ka përparuar gjatë pushtimit të plotë të Gjeorgjisë, sipas Presidentit Sakashvili, i cili iu drejtua popullit gjeorgjian duke njoftuar se, trupat ruse kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të vendit. Ministrja e Jashtme gjeorgjiane ka anuluar vizitën e planifikuar sot, në Bruksel për të takuar shefin e NATO-s, për shkak të invazionit rus.

“Rusia të pranojë armëpushimin”
Kryeministri britanik, Gordon Braun i ka bërë dje thirrje Rusisë që t’i përgjigjet shpejt dhe pozitivisht propozimit të Gjeorgjisë për armëpushim. “Ekziston një përgjegjësi e qartë ndaj qeverisë ruse, për të çuar shpejt në dhënien fund të këtij konflikti”, tha Braun në një deklaratë për shtyp. “Qeveria gjeorgjiane ka propozuar një armëpushim, për të cilin unë u kërkoj rusëve t’i përgjigjen pa vonesë”. Ndërkohë edhe Sekretari i Jashtëm britanik, David Miliband dënoi sulmet ushtarake ruse kundër Gjeorgjisë, duke thënë se ishin kryer sulme me bombë edhe në territoret përtej Osetisë së Jugut.

SHBA: Rusia ishte përgatitur për pushtim të Gjeorgjisë 

“Rusia është përgatitur më parë për një pushtim të Gjeorgjisë”, deklaroi dje zëvendës ndihmës/sekretari amerikan i Shtetit, Mattheu Bryza për gazetarët, ndërkohë që u nis për në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi bashkë me një delegacion nga BE për të ndërmjetësuar mbi arritjen e armëpushimit. “Dëgjuam deklaratat ku thuhej se trupat ruse, që morën pjesë në ristrukturimin e sistemit hekurudhor në Abkhazi dy muaj më parë ndodheshin atje për një mision humanitar”, deklaroi ai për gazetarët në aeroport. “Tani e dimë të vërtetën, se këto forca ndodheshin atje për të rindërtuar hekurudhën në mënyrë, që të lejonin që municionet dhe pajisjet e tjera ushtarake të ndihmonin Rusinë për një pushtim që po ndodh tani”, shtoi ai.

Medvedev: Operacionet afër fundit

“Operacionet ushtarake në Osetinë e Jugut janë afër fundit”, tha Presidenti rus, Dimitri Medvedev. Ai tha se kryeqyteti i Osetisë së Jugut, Çinvali është nën kontrollin e paqeruajtësve rusë, kurse forcat gjeorgjiane janë nxjerrë jashtë gjatë ditëve të luftimeve. Zëvendëskomandanti i shtabit të ushtrisë ruse tha se forcat ruse nuk do t’i zgjerojnë veprimet e tyre përtej territorit të Osetisë së Jugut. Ndërkohë Moska ka deklaruar se nuk do ta sulmojë kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisin, edhe pse trupat ruse kanë avancuar deri në afërsi të tij. Deklaratën e ka bërë Ministria ruse e Mbrojtjes pas paralajmërimit të Presidentit gjeorgjian, Sakashvilit se trupat po hyjnë në kryeqytet. “Eshtë e qartë se liderët gjeorgjianë janë në panik”, tha zëdhënësi rus. Veprimet e Moskës kanë detyruar ritakimin për të pestën herë të Këshillit të Sigurimit. Diplomatët u mblodhën në orën 23:00 për të kërkuar zgjidhjen e konfliktit që po përshkallëzohet.

Sakashvili: Rusia, vrasëse gjakftohtë  

Presidenti gjeorgjian, Mikheil Sakashvili deklaroi se, e ka nënshkruar dokumentin e propozuar nga ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner dhe kolegut të tij finlandez, Aleksandër Stub për armëpushim në Osetinë Jugore. Por pas refuzimit të Moskës për armëpushim Sakashvili ka hedhur denoncime të forta kundër Rusisë, duke e akuzuar atë për spastrim etnik dhe tha se, veprimet e Kremlinit përbënin “vrasje të planifikuar, gjakftohtë dhe të paramenduar të vendit të tij të vogël”. Ndërkohë që presidenti gjeorgjian ishte në konferencë për shtyp, u detyrua të dalë jashtë sallës pa përfunduar fjalën e tij, pasi u njoftua se rinisën bombardimet shumë pranë Tbilisit. Ndërkohë, trupat ruse pushtuan edhe qytetin gjeorgjian Gori. Sakashvili vendosi të prishë armëpushimin dhe të kundërpërgjigjet për vetëmbrojtje. “Afro 19 avionë ushtarakë rusë janë rrëzuar dhe qindra ushtarë rusë janë vrarë në konfliktin e armatosur, që ka kundërvënë Moskën me Tbilisin”, tha Sakashvili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›