Dymijë efektivë, rrethim Kryeministrisë, policia: Nuk garantojmë tubimin
Skema e re e Policisë së Tiranës parashikon kordonë në të gjitha krahët e godinës së Kryeministrisë dhe pas saj. Policia e Tiranës: Tubimi cenon sigurinë kombëtare, nuk e garantojmë
Tiranë Policia e Shtetit ndërron skemën e blindimit të Kryeministrisë, pas ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit. Protesta-homazh, që pritet të zhvillohet gjatë ditës së sotme, do të zbresë në bulevard thuajse të njëjtin numër policësh, të cilët ishin të pranishëm dhe gjatë protestës së zhvilluar një javë më parë. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se numri i efektivëve të policisë, FNSH-së dhe RENEA-s do të jetë rreth 1 500 - 2 000, të cilët jo vetëm do të rrethojnë godinën e Kryeministrisë, por edhe do të shtrihen përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. E ndërsa zyrtarët e Policisë së Tiranës po i jepnin dorën e fundit planit të masave për tubimin e paralajmëruar si homazh për tre të vrarët nga Partia Socialiste, zëdhënësi i policisë tha se “Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë nuk garanton mbarëvajtjen dhe zhvillimin e këtij tubimi”. Shkak për këtë deklaratë, që dyfishon përgjegjësinë e Partisë Socialiste në tubimin e sotëm, është bërë demonstrata e një jave më parë, ku, sipas zëdhënësit Arben Nasufi, degjeneroi në akte dhune, cenim të rendit kushtetues, sulm ndaj institucioneve kushtetuese, sulme të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë përmbushjes së detyrës së tyre funksionale për garantimin dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. “Duke patur parasysh se një numër i madh protestuesish në tubimin e lartpërmendur dispononin armë zjarri, bomba Molotov, mjete të tjera të forta, si gurë, shkopinj, si dhe duke u bazuar në informacionet që administrohen nga strukturat e Policisë së Shtetit” - janë argumentet që kanë paraqitur blutë e kryeqytetit për mosgarantimin e mbarëvajtjes gjatë këtij tubimi.
Skema e policisë
Ndryshe nga protesta e parë, ku numri më i madh i forcave ishin përqendruar në pjesën ballore të Kryeministrisë, këtë herë ato do të kenë një shpërndarje në të gjithë territorin që rrethon këtë godinë. Më konkretisht, përveç kordonit që do të vendoset në pjesën ballore të Kryeministrisë, një tjetër kordon me forca policie do të vendoset dhe në pjesën veriore të kësaj godine, në krah të Piramidës. Bashkë me efektivët e policisë, brenda gardhit mësohet se do të qëndrojnë dhe forcat e Gardës së Republikës. Ky ndryshim mendohet se vjen pas problemeve të shumta dhe numrit të madh të protestuesve, që u vendosën në këtë anë, duke sulmuar me sende të forta efektivët e policisë, të cilët u gjendën të papërgatitur.
Gjithashtu, mësohet se forca të shumta policie do të ketë dhe në Rrugën e Elbasanit, kryesisht në rrugicat që të çojnë për në Kryeministri. Ndërkohë, bëhet e ditur se edhe pallati ku banon kryeministri Berisha do të ruhet nga forca policie, të cilat i druhen ndonjë sulmi të protestuesve. Edhe këtë herë, lartësitë do t’u besohen efektivëve të specializuar të Gardës dhe të forcave RENEA. Sërish, tarracat e Kryeministrisë, Kuvendit, “Kullave Binjake”, por edhe e një sërë ndërtesash të larta që ndodhen rreth bulevardit, do të jenë të mbushura me efektivë specialë, të cilët do të vëzhgojnë gjithë situatën. Gjithashtu, nuk do të mungojnë dhe snajperët, të cilët, ashtu si dhe gjatë protestës së 21 janarit do jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast se situata paraqitet alarmante. Ndërkohë, të gjitha Komisariatet e Tiranës janë në gatishmëri maksimale, duke nisur që nga dita e djeshme, çka do të thotë se të gjithë efektivët e tyre duhet të jenë në detyrë dhe të gatshëm për çdo të papritur që mund të ndodhë.