E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Dalja nga kriza? Negociata për zgjedhje të parakohshme

INTERVISTOI Ilva Tare

Pse nuk e shtytë manifestimin homazh sot?

Sepse nderimi për këta tre burra të pafajshëm, për këta tre shqiptarë të zakonshëm, për këta tre njerëz që në rrugën e asaj proteste nuk erdhën për të marrë zyrën e Saliut, por erdhën për t’u bashkuar me të tjerët, për një Shqipëri më të mirë...

Pashë sot edhe forca të shumta sigurie rreth teje. Ishin të nevojshme këto masa?

Nuk kam dëshirë të bëj koment.

Kryeministri është i njohur nga ndërkombëtarët, Shqipëria u fut në NATO me këtë Kryeministër, u liberalizuan vizat. Ka mundësi që të flasim me terma konkret. Është Kryeministër

Është kryeministër i juaji, por jo i imi

Është i Shqipërisë...

Është i pari i një regjimi kusarie matrapazllëku, që ne e refuzojmë dhe i ashtuquajturi kryeministër është më e pakta që mund të thuhet për këtë, sepse sot mbi të rëndon edhe vrasja e këtyre njerëzve të pafajshëm, por duke dashur ta përmbyll atë që ne po diskutonim, shtoj se në demonstratën e 21 janarit pati një provokim të përsëritur dhe arsyet e atij provokimi po i radhit vetë, duke folur për një puç që nuk ekziston dhe në fakt, duke dashur që të vendos një marrëdhënie të re, një gjendje të re, në raport me opozitën dhe në vendin, e në kushtet kur qeveria është tërësisht e rrëzuar në sytë e shqiptarëve, që e kanë parë me zë e figurë duke grabitur dhe e kanë kuptuar se është ajo që po ndodh përditë në zyrat e Kryeministrisë.

Ku ishit më 21 janar, pse nuk ishit në qendër që të drejtonit protestën, ku ndodheshit, Berisha tha se ishte në zyrën e tij, po ju?

Unë kam qenë, ashtu si plot e plot të tjerë, duke vazhduar të ec në bulevard, sepse ajo që duhet ritheksuar është se demonstrata është provokuar përpara se të qëllohej... Ne kemi qenë duke ecur thuajse të gjithë, përjashtuar ata që kishin mbërritur ndërkohë para Kryeministrisë, unë kam qenë me Pandeli Majkon, Vangjel Dulen dhe të tjerë, dhe kemi qenë pas urës, pra duke shkuar në drejtim të kreut të turmës së demonstruesve, me idenë për të vazhduar të ecim më tutje, sepse pamë që kishte një masë shumë të madhe njerëzish që vazhdonte të vinte, që ende nuk kishte mbërritur fundin e bulevardit.

Kishit komunikim me pjesën që ishte para kryeministrisë dhe me kë konkretisht?

E përsëris, unë jam bashkuar me një pjesë që vinte nga rruga e Elbasanit, bashkë me kryetarët e tjerë të partive të koalicionit dhe jemi kryqëzuar të gjithë aty, ku është fundi i lulishtes, duke shkuar drejt bulevardit dhe në momentin kur kemi qenë rreth 250 metra nga demonstruesit e parë, kemi vënë re axhitimin e demonstruesve, të cilët tundnin çadrat dhe ristelat e sloganeve të protestës, pra në atë moment, kjo ka qenë pamja dhe nuk ka pasur absolutisht asgjë tjetër, pra asgjë tjetër përveç çadrave dhe ristelave, pikërisht në atë moment janë shfaqur si rrufeja në qiell të pastër, dy makinat me ujë dhe kanë filluar edhe hedhjet me bomba me gaz lotsjellës, që kanë shpurë pjesën nga ana tej urës dhe kanë bërë të gjithë që të vijnë drejt urës, duke krijuar një hapësirë që ka filluar pastaj sulmi dhe kundërsulmi, natyrisht në kushtet e një reagimi idiotik.

Kur ju keni qenë tek ura, protestuesit po përlesheshin me policinë. A ishit në dijeni të kësaj?

Kjo nuk është e vërtetë. Kur ne kemi kaluar, po ju them, kemi qenë, nuk e di sa është ajo distancë nga kryeministria tek ajo zonë, aty nuk ka pasur asgjë tjetër përveçse një trysni të asaj pjese të demonstruesit, që ishin stacionuar aty me policinë dhe agjitimit të çadrave dhe ristelave. Kjo është plotësisht e dukshme, sepse në momentin kur dolën blindet ujëhedhëse dhe bombat me gaz, aty nuk ka gurë. Gurët dhe reaksionet e disporpocionuara të demonstruesve i përkasin pikërisht momentit të rikthimit të tyre drejt hapësirës përballë Kryeministrisë.

Çfarë bëtë ju pastaj?

Ne kemi qëndruar me Majkon dhe Dulen në cepin që lidh urën me Parkun “Rinia” dhe kemi komunikuar në vazhdimësi me të gjithë deputetët, që mund të ndikonin në qetësimin e situatës, gjë që është bërë intensivisht nga deputetët dhe nga një sërë njerëzish të Policisë Bashkiake, duke filluar nga drejtori i Policisë Bashkiake.

Ky është momenti që jeni rikthyer në PS, ku keni dhënë një deklaratë për mediat, apo keni qëndruar aty?

Unë kam qëndruar aty për kohën më të gjatë dhe nuk do të ishte më e udhës që të rikthehesha aty, sepse ekzistonte rreziku që mund të tërhiqnim pas vetes një numër shumë të madh njerëzish, që ishin në gjithë zonën tjetër të bulevardit. E vërteta e thjeshtë është që ai reagim ka qenë në bazë të një skenari, që fillon dhe lexohet lehtësisht tani, me kalimin e ditëve, sepse menjëherë pasi është bërë qetësimi i përgjithshëm i demonstratës, ka filluar një version që është kurorëzuar nga dalja e Saliut dhe e të tjerëve, kombinuar me një sharlatan në Spitalin Ushtarak, që kanë folur për vrasje të organizuar ende nga opozita.

Pra ju e mohoni që është ushtruar dhunë?

Unë nuk po mohoj se demonstruesit kanë pasur një reagim të disproporcionuar që nuk hyn në kornizën e një proteste apo demonstrate paqësore, por...

Pse më 21 janar nuk e kontrolluat dhe sot po?

Unë po ju them sepse më 21 janar, demonstrata është provokuar rëndë nga qeveria dhe nga duart që e ç’orientuan edhe operacionin e policisë për të ç’orientuar të gjithë situatën.

Nuk jeni përgjegjës për vdekjen e tre protestuesve?

Jo

Keni kontakte me Prokuroren e Përgjithshme?

Jo

Keni komunikuar pas 21 Janarit?

Kam komunikuar vetëm një herë, kur i kam shkuar në zyrë për t’i bërë prezente para disa kohësh një shqetësim serioz, që lidhej me një shantazh ndaj deputetit Erion Braçe dhe ndaj meje personalisht.

Si e gjykoni ftesën e Prokurores së Përgjithshme, për ekspertë të huaj. A ishte e nevojshme?

Derisa e ka bërë, e ka parë të nevojshme, por shtoj se në këto kushte, në kushtet kur ka një llum të përminutshëm të Saliut dhe të regjimit të tij për të deligjitimuar Prokurorinë e Përgjithshme dhe për të dekurajuar deri në paralizë Prokuroren e Përgjithshme, mbase ka qenë një mënyrë për t’i dhënë besueshmëri të plotë hetimeve, duke përfshirë ekspertët amerikanë.

A është një armiqësi personale kjo që keni ju me Berishën?

Këtë po them, që nuk ka, dalin kaq shumë njerëz në rast se nuk ka një arsye shumë të fortë. Kjo nuk është një betejë personale, sepse personalisht unë skam asnjë lloj ndjesie ndaj Saliut. Saliu për mua personalisht është një subjekt mjeran, që s’më krijon asnjë lloj ndjenje, të asnjë lloj ngjyre. Ajo që më mban më të vendosur se kurrë në këtë betejë, është fakti se Shqipëria sot është në një udhëkryq shumë dramatik. Shqipëria sot rrezikon një tjetër natë të zymtë të jetës së saj, në një shtet-parti dhe të kërcënojë ato liri themelore, deri tek liria e fjalës. Ky është një proces që ndodh dite për ditë, në adresë edhe të medias kritike, dhe të gazetarëve që bëjnë punën e tyre. Sot u pa qartë se Shqipëria e njerëzve të zakonshëm, refuzon frikën dhe kërkon hapjen e një kapitulli të ri për vendin. Kryeministri i vendit ka ndërmarrë një sulm barbar dhe vrastar, duke identifikuar opozitën si të keqen e madhe të këtij vendi dhe duke folur për një puç, ku praktikisht marrin pjesë ato forca që janë jashtë kontrollit të Kryeministrit, por që janë garancitë e fundit të shoqërisë shqiptare, ku shteti si një mekanizëm ka rënë. Pra Presidenti i Republikës, Prokurorja e Përgjithshme, Shërbimi Informativ dhe opozita. Ky sulm duhet zmbrapsur me çdo kusht dhe kjo qeveri duhet larguar një orë e më parë, sepse është futur në fazën e fundit të një degradimi që rrezikon ta transformojë Shqipërinë në një gjendje fashiste.

Ndërkombëtarët nuk thonë kështu për qeverinë aktuale. Në opinionin tim po njoh njerëz që janë të pakënaqur me këtë qeverisje, por që s’besojnë as tek ju, z.Rama. Çfarë platforme keni ju për ta?

Ka një ndryshim shumë të madh sepse akuzat për korrupsion dhe kapje të shtetit janë akuza të cilat janë provuar dhe vazhdojnë të provohen. Ato që thotë Saliu dhe thuhen, por deri më sot asgjë nuk është provuar. E patë fatin e akuzës së 20 për qindëshit dhe që në fund fare doli se ishte një bllof, pra një hiç që nuk ekzistonte. Është e pamundur të jesh imun ndaj akuzave në këtë vend ku kultura e debatit politikë është deformuar tërësisht, në një hapësirë të përbaltjes totale.

Nuk mund të thoni zoti Rama që, në vend që të bëni thirrje për të rrëzuar Berishën, të thoni ky është programi im dhe më votoni mua? Më 1997 shqiptarët votuan kundër Berishës dhe e rrëzuan, ishte keqqeverisja e PS-së që e risolli atë në pushtet. Sot në PS janë të njëjtit njerëz që nga 1997-2005, çfarë ka ndryshuar?

Dëshiroj t’u them të gjithë shqiptarëve se nuk ka tjetër ‘97. Fantazmën e ’97-ës e sjellin këta që duan ta mbajnë pushtetin, jo se kanë ndonjë gjë tjetër në dorë, por përmes frikës. Nuk ka më arsye të ketë asnjë formë të reduktuar të ‘97-ës për të larguar këtë qeveri kusarësh. Së dyti, PS-ja bëri një sërë gjërash shumë të rëndësishme pas vitit ‘97 dhe pavarësisht se kam qenë dhe mbetem shumë kritik për gjithë periudhën 20-vjeçare të qeverisjes së këtij vendi, pasi besoj se ka patur pak kurajë dhe vullnet për reforma, që do ta kishin çuar vendin në një stad tjetër, fakti është se s’ka asgjë të krahasueshme me atë çka ka bërë PS-ja në atë periudhë dhe arsye pse erdhi Saliu më 2005-ën në qeveri. Edhe kjo është një shembull për çka thamë më parë. Erdhi momenti që njerëzit thanë s’i duam më socialistët dhe nuk pyetën se ç’do të kishin më prapa. Nëse do ta kishin menduar kështu, s’do ia jepnin një shans Saliut. Së treti, në qershor 2009 ne fituam, por nuk u zgjodhëm. Fituam votat, pasi u dhamë shqiptarëve mundësi të perceptonin një shans të ri, një rrugë të re, të ndienin se ishte e mundur një politikë e re. Ajo çka ndodhi është ajo çka po na çon së bashku drejt greminës, pasi u vodhën votat që të vidhet më pas Shqipëria. U ndërtua një koalicion i quajtur integrimi, por në fakt një pakt kusarësh për të grabitur Shqipërinë. Duhet ta shkëpusim këtë zullum që na çon thellë e më thellë në batak, nëse s’e këpusim, pushteti financon dhe korrupton pastaj zgjedhjet me paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme dhe nga ana tjetër riciklohet për të vazhduar të fitojë para. Së fundi, lidhur me atë çka thanë për PS-në, them se sot në partinë tonë ka një harmonizim gjeneratash, ka harmonizim eksperiencash dhe gjinish. Parti të tjera në Shqipëri, që mund të krahasohen me të, nuk ka, pasi janë fare të vogla ose e vetmja e krahasueshme me PS-në është një kazermë këngëtarësh që e kanë fytin të lidhur me Saliun dhe këndojnë sa herë ai ua kërkon.

A do vazhdoni sërish protestat?

Kjo është gjëja më e sigurt, edhe pse mund të jetë pak, pasi për njerëzit do të donim të bënim shumë më shumë se kaq. Rruga e protestave është rruga e çlirimit të Shqipërisë nga kjo e keqe e madhe që e ka mbërthyer.

Kur do jetë protesta e radhës?

Do ta vendosim në ditët që do të vijnë.

Si do të zgjidhet situata?

Duke vazhduar betejën deri në fund, deri në hapjen e një rruge të re përmes krijimit të një mundësie të re për palët. Pra, të krijimit të një mundësie të re për palët, që bashkërisht të përcaktojnë rregulla dhe garanci, duke i dhënë mundësi shqiptarëve të rizgjedhin duke përcaktuar me votë të lirë e të ndershme se kë duan t’i qeverisë dhe kë duan t’i bëjë opozitën përballë tyre.

Çfarë garancish doni nga Berisha? I bëtë vetë ndryshimet në Kushtetutë, duke e blinduar Kryeministrin...

Rrëzimi në Parlament varet nga numrat dhe jo nga Kushtetuta.

Thatë se nuk i besoni zotit Berisha...

Thashë se është bërë për t’u lidhur se ka dalë mendsh. Praktikisht është e pamundur për një shqiptar normal që ka votuar PD-në dhe që s’ka asnjë dyshim se unë e respektoj për votën që jep, që të shikojë se pas një skandali si ai i atyre personave që turpëroi Shqipërinë, duke u bërë lajm në gjitha stacionet e botës. Zëvendësi i Saliut grabiste qindra mijëra euro kesh dhe aksione në koncesione dhe më pas të shikojnë Saliun të thotë është montazh, truk etj. Arsyeja pse jam në këtë betejë është sepse dua një Shqipëri që të mund të krahasohet për standarde etike dhe komunikimi të qeverisë, të krahasohet për standarde të respektit për qytetarin, me ato vende të cilave duam t’u ngjajmë.

Nëse do të ishit ju Kryeministër në 21 janar dhe të ishit në godinë në vend të Berishës, çfarë do të bënit?

Nëse do isha unë Kryeministër, nuk do të ndodhte 21 janari. Së pari, sepse nuk do të kishin arsye qytetarët të vinin me gjithë atë zemëratë pas atij skandali të turpshëm dhe të mohuar paturpësisht me gënjeshtra që fyejnë çdo shqiptar socialist e demokrat. Së dyti, kurrë policia nuk do të mund të shpërdorohet siç u shpërdorua. Policia është një trupë e ngritur në këmbë me shumë sakrifica dhe për një periudhë të caktuar kohe policia u shkëput në mënyrë, ndoshta jo të plotë, por të konsiderueshme nga sqetulla e pushtetit. Rikthimi i saj në gjendjen e egër, në gjendjen natyrale të një pushteti të Saliut është një shenjë jashtëzakonisht e keqe dhe është një arsye e mjaftueshme të kërkuar largimin e kësaj qeverie. Kjo qeveri mbron vrasës dhe njerëz që duhen ndaluar me urdhër të prokurorisë. Sot ne dhamë provën që nuk kishte asnjë lloj baze refuzimi i policisë për të garantuar demonstratën dhe vetëm kjo mjafton që kjo qeveri të largohet e që ai ministër i Brendshëm që është fshehur në ndonjë skutë, pasi ka bërë shpërdorim detyre, të largohet një orë e më parë.

Po kërkoni dorëheqjen e zotit Basha apo rrëzimin e qeverisë? Nëse doni të dytën, si do e realizoni?

Duket sikur këto që flasim janë çështje të zotit Rama apo të opozitës politike. Ne jemi vetëm zëdhënës të shqetësimeve dhe të ambicieve të popullit për të realizuar një proces qeverisës më të mirë. Në këto kushte nuk ka asnjë shqiptar përveç atyre që jetojnë në oborrin e Saliut, që të pranojë si normale atë video, të pranojë normale një dorëheqje tërësisht artificiale, për sa kohë një vartës i zëvendësit të Saliut merr atë ministri.

Çfarë garancish jepni ju që do të jeni ndryshe?

Jua thashë edhe më parë, nëse në zgjedhjet e vitit 2009 vota e popullit nuk do të ishte deformuar dhe vullneti i popullit nuk do të ishte transformuar në një rezultat të ndryshëm nga ai që vendosën njerëzit me votë përmes korrupsionit elektoral, sot do të ishim krejt ndryshe. Do të kishim politika të reja për arsimin, për fshatin, për zhvillimin ekonomik dhe me radhë. Këto ishin pjesë e një programi të shkruar dhe të detajuar në ato drejtime që donim t’i sillnim këtij vendi ato ndryshime të duhura. Me atë program mund t’i bënim dhe do t’i bëjmë Shqipërisë në katër vjet, atë çka e kemi bërë në Tiranë në 10 vite.

Çfarë do të ndodhë tani. Ngritët supet për një tryezë me Berishën, por çfarë kërkoni ju?

Se kemi përjashtuar asnjëherë dialogun, pasi ajo është rruga e negocimit dhe vendosjes së pikave për çdo marrëveshje mes palëve. Ne nuk jemi në luftë për të asgjësuar kundërshtarin, apo në përpjekje që synon hapësirën e kundërshtarit ta zëmë ne e ti bëjmë atij të njëjtën, gjë që na bën ai sot ne. Jemi për të ndryshuar procesin politik, përmes vendosjes së atyre garancive që sot nuk ekzistojnë më sepse i ka zhbërë regjimi i kusarisë. Shqipëria nuk mund të vazhdojë më me këtë qeveri, pasi humbet ditë dhe vite nga e ardhmja e saj. Degjenerimi i këtij pushteti në të gjithë procesin e qeverisjes, duke shkatërruar dhe minuar shtetin, është një proces që duhet ndalur një orë e më parë. Kjo duke rivendosur kufijtë për palët dhe duke i dhënë fund daljes përtej Kushtetutës dhe kornizës së ligjit. Pastaj duke përcaktuar ato garanci që ju duhen palëve, për një proces adresimi tek sovrani që duhet të vendosë me votë të lirë e të ndershme. Se kush do të qeverisë është çështje e popullit dhe jo e demonstratave apo strategjive për të ngritur ata që janë ulur apo ulur ata që janë ngritur.

Si do të shkoni në zgjedhjen, të parakohshme kur Kryeministri e tha që janë në vitin 2013?

Zëdhënësi i tij tha këtu do më keni dhe do shikoni edhe incizime të tjera, por këtu më keni. Unë dorëheqjen tha vetëm në 2013, nëse më heq populli, por të nesërmen dha dorëheqjen. Kjo është çështje vetëdijësimi dhe sot ai nuk është i vetëdijesuar që po lë nam e po humbet kontrollin e vetes. Çdo ditë që po kalon po i del edhe vetes nga duart por s’është e thënë të mos i vijë drita e arsyes e të shohë që e ka të pamundur. Rezistenca jonë do të jetë e pathyeshme. Nuk mund të ketë në Shqipëri zgjedhje në 8 maj nëse nuk ka në Shqipëri ndryshime të rëndësishme në procesin politik për të krijuar mjedis cilësisht të ndryshëm që palët të jenë të garantuara e pastaj ti adresohen sovranit.

Do t’i bojkotoni zgjedhjet e 8 majit?

Mospjesëmarrja në zgjedhje nuk është opsion por nuk do të bëhen dot zgjedhje. Nuk bëhet fjalë për bojkot por nuk do të bëhen dot zgjedhje.

Keni marrë garanci që do të negociohet. Ka ndonjë ndërmjetës?

Ka një përpjekje të komunitetit ndërkombëtar, ka ardhur një i dërguar i posaçëm i zonjës Ashton dhe të shohim si do të vazhdojë ky proces. Do të vazhdojmë në rrugën tonë dhe jemi të bindur se do të vetëdijësojmë sa më shumë shqiptarë për një zgjidhje të re.

Pesë vite kryetar i Partisë Socialiste. Mendoni se keni bërë diçka për të cilën jeni penduar?

Nuk kam as më të voglin dyshim, që nëse do të bëja analizën e pesë viteve, do të kisha shumë gjëra për të përmirësuar. Ajo që është më e rëndësishme sot për mua, është se pas asaj që sot panë shqiptarët dhe pas asaj që sot pa e gjithë bota mbarë për Shqipërinë, ndryshe nga ajo e 21 janarit që ishte rezultat i provokimit të pabesë të këtij pushteti të korruptuar. Jam shumë krenar që jam në krye të kësaj force politike dhe në këtë koalicion të madh forcash që i jep njëkohësisht mundësinë këtij fronti opozitar, që të përfaqësojë shumë njerëz.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›