Dyndje menaxherësh, Vila e Bakaj në fokus
Shqipëri-Portugali nuk është një ndeshje e rëndësishme për dy formacionet, e sidomos për luzitanët, apo për tifozeritë, e veçanërisht atë kuqezi, por të shtunën në “Qemal Stafa” do të jenë një numri i madh menaxherësh e skautësh të huaj, të cilët punojnë për llogari të klubeve të ndryshme në Europë. Në listën e Kombëtares shqiptare përveç të futbollistëve të talentuar si Hamdi Salihi, Edmond Kapllani, Debatik Curri, Armend Dallku, Kristi Vangjeli, Samir Ujkani apo Jahmir Hyka, që luajnë prej kohësh në kampionatet e huaja, është dhe një grup tjetër cilësor që vjen nga direkt kampionati vendas, si Elis Bakaj apo Emiljano Vila. Pikërisht për këta dy të fundit, sipas kreut të “Vata Vision Football Management”, Rudi Vata, në impiantin ndërkombëtar shqiptar do të jenë pranishëm një skaut nga Polonia për mesfushorin sulmues të Dinamos, Bakajn, ashtu si një tjetër nga Bullgaria, do të mbledhë informacione plus për mesfushorin sulmues të Teutës, Emiljano Vilën. Durrsaku Vila ishte një nga “adoleshentet” më premtues të sezonit të kaluar, ku me 15 gola të realizuar ishte golashënuesi i tretë më i mirë i kampionatit që porsa përfundoi, duke qenë prej kohësh në “rrjetën” e informacioneve të menaxherëve të futbollit, gjithmonë në kërkim të talenteve të reja. Performanca e tij e shkëlqyer me U-21 e sidomos me golin inteligjent në barazimin e Shqipërisë B kundër Milanit, patën jehonë jo vetëm në klubin durrsak, por dhe në Bullgari, te Cerno More Varna, vendi i tretë në kampionatin bullgar e pjesëmarrëse në Ligën e Europës. Cerno More Varna njihet gjërësisht si një klub që rit talente, duke u dhënë përvojën e duhur, përpara se ata të jenë gati për tregun perëndimor. Cerno More ka lidhje të ndryshme në Europë, por është i binjakëzuar me Volfsburgun, kampionin e ri të Gjermanisë.
5 Qershor 2009