E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhon Uidhers: “Zgjedhjet nuk do të ishin sipas standardeve nëse shtetasve nuk u jepet e drejta e votës”

Ambasadori amerikan, thirrje qeverisë të zgjidhë problemet me kartat. “Data e zgjedhjeve, një çështje që u përket partive shqiptare”

Eljona Ballhysa
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Xhon Uidhers, është shprehur dje se në zonat rurale të Shqipërisë vazhdon të ketë probleme me pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Uidhers i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të marrë të gjitha masat për zgjidhjen e problemeve në mënyrë që të gjithë shtetasit me të drejtë vote të mos hasin pengesa në këtë drejtim. Sipas ambasadorit amerikan, zgjedhjet nuk do të ishin të lira dhe të ndershme sipas standardeve të njohura ndërkombëtarisht në rast se shtetasve nuk u jepet e drejta e votës. I pyetur nga mediat për mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve Uidhers u shpreh se ka ende kohë që problemet të zgjidhen dhe vendi të shkojë në zgjedhje ditën e caktuar, por në rast se ka ndonjë alternativë tjetër, kjo mbetet për t’u shqyrtuar dhe për t’u vendosur nga partitë politike shqiptare.
Ambasadori amerikan, gjatë fjalës së tij, u bëri thirrje shtetasve shqiptarë pa dokument identifikimi që të aplikojnë për ta marrë atë në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhje, duke e quajtur pjesëmarrjen në zgjedhje një moment magjik, përtej detyrës së qytetarisë.
Thirrja
“Ka mbetur vetëm një javë kohë për aplikimin e shtetasve për karta identiteti për zgjedhjet e ardhshme. Për këto ditë që kanë mbetur unë do të doja t’u bëja një thirrje shtetasve shqiptarë, të cilët janë zgjedhës të ligjshëm me të drejtë vote, ta shikojnë me avantazh këtë mundësi të madhe dhe të regjistrohen për të votuar. Ushtrimi kryesor i demokracisë është që na jep të drejtën të marrim pjesë në zgjedhje. Është në të vërtetë një moment i veçantë për vendin, për individët, pasi për një moment ti ke të drejtën të plotësosh fletën e votimit dhe ta hedhësh atë në kuti. Njeriu më i madh mbi tokë dhe njeriu më i thjeshtë mbi tokë në atë moment janë të barabartë. Ata kanë të njëjtin ndikim dhe të njëjtin autoritet që të ndryshojnë drejtimin e vendit, t’i bëjnë gjërat të lëvizin në atë drejtim që ata mendojnë se do të jetë më i mirë për ta dhe për vendin. Të votosh nuk është thjesht një detyrim, por është një moment magjik dhe unë përfitoj nga ky rast për t’i inkurajuar të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, që të angazhohen dhe të përfshihen në këtë proces të mrekullueshëm”, - është shprehur Uidhers.
Problematika
Përsa i përket debatit politik për kartat e identitetit, Uidhers bëri të ditur se edhe zyrtarët e Ambasadës kanë vërejtur disa probleme në ecurinë e këtij procesi. Por, sipas tij, ka kohë që gjërat të zgjidhen. “Unë e shikoj si një moment inkurajues faktin që rreth 1.2 milionë shqiptarë kanë aplikuar për letërnjoftimet. Duke parë përtej këtij zhvillimi pozitiv mendoj se ka disa elemente të tjera të rëndësishme ku dua të ndalem. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ata njerëz që kanë aplikuar për kartat të shkojnë dhe t’i tërheqin ato. Dhe është shumë e rëndësishme për autoritetet qeveritare të bëjnë të pamundurën për t’i nxitur njerëzit që të tërheqin kartat e identitetit”, - është shprehur Uidhers. “Çështja e dytë që dua të theksoj është se raportohet çdo ditë për qendra aplikimi të hapura në të gjithë Shqipërinë. Ne shkëmbejmë informacion me organizata ndërkombëtare, të cilat kanë për detyrë të monitorojnë dhe të vlerësojnë funksionimin e këtyre qendrave. Zyrtarët e Ambasadës, madje, kanë vizituar disa rajone në Shqipëri. Informacioni mbizotërues është se gjërat po funksionojnë, por vazhdon të jenë disa probleme teknike në disa rajone, veçanërisht në zonat rurale, të cilat duhet të shikohen me prioritet. Në disa vende ne kemi mësuar se nuk ka nëpunës të mjaftueshëm për të përballuar numrin e njerëzve që vijnë të aplikojnë; në disa vende të tjera ka probleme me internetin apo me mungesën e elektricitetit; në disa të tjera nuk ka përputhje oraresh midis njerëzve që vijnë për të aplikuar dhe nëpunësve që nuk gjenden në zyra. Nuk mund të them se sa dominuese janë këto probleme, këto ekzistojnë dhe është e rëndësishme që të zgjidhen”, - është shprehur Uidhers. Ai theksoi se problematike mbetet kategoria e njerëzve që nuk disponojnë as karta identiteti dhe as pasaporta, dhe ata rrezikojnë të mos votojnë. “Sipas pikëpamjes sime, kjo kategori njerëzish rrezikon të mos ketë të drejtën për të votuar. Ky është një shqetësim serioz, pasi një nga elementet më kryesore të zgjedhjeve, që të përmbushin standardet ndërkombëtare universale për t’u cilësuar të lira dhe të drejta, është që çdokush që dëshiron të votojë të ketë të drejtën e votës, pa pasur pengesa në këtë drejtim”, - ka theksuar kreu i Ambasadës Amerikane në Shqipëri.
Data e zgjedhjeve
Ndërsa përsa i përket datës së zgjedhjeve Uidhers ishte mëse i qartë. Ai tha se kjo është një çështje që nuk u përket SHBA-ve, por është në dorën e partive politike shqiptare. Por ambasadori amerikan, duke dhënë një shembull nga vetja, tha se ai bën ç’është e mundur që gjërat të realizohen sipas planit. “Unë pëlqej, më shumë sesa të flas, për mundësi hipotetike, të punoj fort, në mënyrë që të bëj më të mirën e mundshëm të diçkaje. Sipas pikëpamjes time, ne kemi rastin më të mirë përpara nesh që të vazhdojmë ashtu siç e kemi planifikuar. Nëse ka alternativa të tjera për t’u shqyrtuar, kjo mbetet në dorën e liderëve politikë shqiptarë dhe sigurisht që është një vendim që merret nga shqiptarët. Pra është në dorën tuaj, jo tonën, për të vendosur për këtë çështje. Partitë politike e kanë caktuar më parë planin për të mbajtur zgjedhjet. Dhe besoj se duhet të merret çdo masë për ta bërë të realizueshëm këtë plan. Sepse ky plan është arritur në sajë të një marrëveshjeje midis partive politike. Nëse do të ketë ndryshim të këtij plani, kjo sigurisht që nuk është çështje që i takon qeverisë amerikane apo Ambasadës Amerikane”, - është shprehur kreu i diplomacisë amerikane në Shqipëri.

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›