E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyndjet nga Ballkani vënë në shqetësim autoritetet belge

03/03/2010 Shtrëngohet dhënia e azilit pas liberalizimit të vizave

Autoritetet belge kanë dhënë alarmin, pasi një numër i konsiderueshëm personash nga Ballkani kanë mbërritur në këtë vend që pas 19 dhjetorit të vitit të kaluar, kur u shpall dhe liberalizimi i vizave për tri vende: Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Për këtë qëllim, muajin e shkuar Kryeministri i Belgjikës, Yves Leterme, vizitoi Ballkanin, me qëllim vëzhgimin në terren të problemit. Kryesisht, ata që emigrojnë drejt vendeve të BE-së janë shtetas serbë dhe shqiptarë etnikë, të cilët, të favorizuar nga vendimi i BE-së, përditë e më shumë po largohen nga vendi i tyre. Në Serbi, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, (një formacion politik që përfaqëson shqiptarët në jug të vendit) Riza Halimi, i tha agjencisë së lajmeve “Beta” se askush nuk e di saktësisht se sa shqiptarë të Preshevës dhe Bujanovcit kanë kërkuar azil politik në vendet e BE-së, por mendohet se numri i atyre shqiptarëve të ikur shkon mes 5 deri në dhjetë mijë persona. Sipas Halimit, në fillim të janarit të dyja linjat e udhëtimit në Preshevë dhe Bujanovc, të licencuara për transport udhëtarësh, kanë pasur rritje të konsiderueshme të pasagjerëve dhe udhëtarëve drejt vendeve të BE-së, aq sa tashmë kanë vendosur linja të rregullta autobusësh drejt tyre. Shumica e shqiptarëve udhëtojnë drejt të afërmve të tyre që prej kohësh jetojnë në perëndim “Situata është dramatike, dukuria e njerëzve që kanë marrë rrugën drejt BE-së, sidomos në Belgjikë dhe Suedi, është në përmasa të mëdha dhe po zgjerohet çdo ditë e më shumë”, u shpreh Halimi.

Refuzimi

Por ndërkohë, liberalizimi i vizave ka edhe anën tjetër të medaljes. Vendet e BE-së çdo ditë e më shumë po refuzojnë kërkesat e azilantëve, pasi pjesë e marrëveshjeve për liberalizimin e vizave është dhe kthimi pas përfundimit të afatit të ditëve të qëndrimit. Nga ana e tyre, azilkërkuesit jo më kot zgjedhin në shumë raste Belgjikën dhe Suedinë, për vetë lehtësirat që ata kanë shfaqur në pranimin e azilantëve në vendet e tyre. Por duket se të paktën për vendet e Ballkanit kjo epokë po merr fund, pasi shumica e tyre kanë përfituar nga regjimi i liberalizimit të vizave ose janë anëtare të BE-së. Jashtë këtij regjimi vazhdojnë të mbeten Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina. Për Shqipërinë pritet liberalizim i vizave në korrik të këtij viti.

Liberalizimi

Çdokush që ka një pasaportë biometrike, pas 1 korrikut do të mund të udhëtojë lirshëm në vendet e zonës Shengen. Në bazë të marrëveshjes, në kufi, porte apo aeroporte do të tregohet vetëm pasaporta, si dhe një deklaratë lëshuar nga një institucion financiar, ku vërtetohet mbulimi i shpenzimeve nga personi që po udhëton jashtë vendit. Për personat që kanë të afërm në vendet e zonës Shengen, ky lloj vërtetimi nuk është i nevojshëm. Masa e mbulimit të shpenzimit do të jetë rreth 50 euro dita, çka do të thotë se për një udhëtim 6-ditor nevojiten vetëm 300 euro të deklaruara. Gjithsesi, që Shqipëria të përfitojë nga regjimi duhet të presë vlerësimin e BE-së, e cila pritet të marrë një vendim në muajin maj. Deri më tani, të dhënat janë pozitive dhe deklaratat e zyrtarëve të lartë flasin për datën 1 korrik. Nga vendimi i fundit i BE-së përfituan Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, ndërsa u lanë jashtë për një vlerësim të dytë Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›