E Diel, 1 Nëntor 2026

Dypunësimi antiligjor i administratës shtetëroreNga Xhovani ShytiMë shumë se 20% e kontingjentit të punonjësve që shërbejnë në administratën shtetërore gjendet i punësuar edhe në sfera të tjera të veprimtarisë së përditshme, duke firmosur pagesa mujo

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Dypunësimi antiligjor i administratës shtetëroreNga Xhovani Shyti

Më shumë se 20% e kontingjentit të punonjësve që shërbejnë në administratën shtetërore gjendet i punësuar edhe në sfera të tjera të veprimtarisë së përditshme, duke firmosur pagesa mujore në disa bordero. Shifra deklarohet në mënyrë konfidenciale nga disa burime zyrtare, sipas të cilave ky realitet është i papranueshëm dhe i papërligjur administrativisht e ligjërisht. Pasi, p.sh., ndodh që rreth gjysma e mbi dyqind punonjësve të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), ndërsa paguhen për detyrën zyrtare, që duhet të kryejnë në këtë institucion shtetëror, në të njëjtën kohë shërben edhe në disa institucione të arsimit të lartë privat. Po e njëjta gjë vërehet edhe në një sferë tjetër të sistemit të shëndetësisë, në atë të mjekësisë, ku jo vetëm mjekë, por edhe pedagogë të fakultetit përkatës, ndërsa janë të punësuar definitivë në institucionet shtetërore, firmosin ndërkohë edhe bordero privatësh. Këta të fundit i gjen të jenë punësuar si mësimdhënës në universitete, klinika, laboratorë privatë etj., duke përfituar dy, tri e më shumë paga mujore.

Por shëndetësia nuk është e vetmja sferë e jetës që stimulon këtë fenomen antiligjor e antisocial. Ka shumë zyrtarë të tjerë të administratës, që shërbejnë nëpër ministri, institute e ndërmarrje shtetërore, kryesisht si specialistë, që bëjnë të njëjtën gjë. Përveçse paguhen nga shteti për detyrat që mbulojnë, ata shërbejnë si mësimdhënës në universitetin shtetëror e universitetet private duke u bërë përvetësues të disa pagesave, ca prej të cilave në rrugë abuzive. Themi ca në rrugë abuzive, pasi, duke iu referuar anës ligjore të problemit, konstaton se një person, i cili është i punësuar në administratën shtetërore, që të meritojë pagën, është i detyruar të zbatojë rigorozisht detyrimin e rrjedhur ligjor. Sipas këtij detyrimi, gjithsecili prej këtyre punonjësve duhet të respektojë javën 40-orëshe të punës ose atë që rëndom thirret 8-orëshi zyrtar i ditës së punës. Askush nga punonjësit zyrtarë shtetërorë nuk ka të drejtë të abuzojë me këtë orar, askush nuk ka të drejtë ta keqadministrojë e ta shfrytëzojë këtë periudhë kohore për interesa personale, askush nuk ka të drejtë të shfrytëzojë bazën materiale, teknikën e mjetet pasuri shtetërore për nevoja individuale, askush nuk ka të drejtë ta shfrytëzojë orarin zyrtar në kundërshtim me ato çka parashikojnë urdhrat, udhëzimet e rregulloret e brendshme administrative…

Këto e të tjera kërkesa janë disa prej detyrimeve që duhet të zbatojë një shtetas i punësuar në administratën shtetërore, i cili, në të kundërt, pra nëse gjatë veprimtarisë së tij të përditshme zyrtare i shkel apo abuzon me to, minimalisht duhet t’i nënshtrohet sanksioneve ndëshkuese. Sanksione që parashohin që nga prerja e ditëpunëve e deri në përjashtimin nga vendi i punës apo posti zyrtar.

Kështu citohet në shumë nene e pika të atij që thirret “kapitulli i detyrimeve të nëpunësit shtetëror”, e që deri më sot është lënë i harruar. Sepse çfarë ndodh realisht?

Të gjithë përfaqësuesit zyrtarë të këtij 20 përqindëshi të dypunësuarish i ushtrojnë veprimtaritë e dyta e të treta te privati duke abuzuar me postin apo detyrën administrative shtetërore. Gjithsecili prej tyre nuk e respekton ditën 8-orëshe të punës. Brenda këtij orari të detyrueshëm zyrtar ai kryen punën e dytë e të tretë, duke shfrytëzuar bazën materiale, teknikën e mjetet pasuri shtetërore për nevojat e tij individuale, në favor të punëve të tjera private. E konstaton këtë, po të inspektosh një ditë të zakontë pune në institucionet e sipërpërmendura shtetërore, ku sundon zbrazja e zyrave nga të dy e trepunësuarit. Ndërkohë, po të shfletosh faturat, do të ndeshësh miliona lekë shpenzime zyrtare për telefona, për internet, për blerje kompjuterësh, fotokopjesh, skanerë, lap-topë etj. mjete kancelarie, që nuk e justifikojnë harxhimin për veprimtarinë e përditshme zyrtare shtetërore, e që përdoren për veprimtaritë e dyta e të treta private. Kjo tablo është një e përditshme që vazhdon prej vitesh, që kryhet në rrugë abuzive, me dijeni, madje edhe me firmën e titullarëve, të cilët jo rrallë i gjen të jenë edhe vetë të dy e trepunësuar. Në anën tjetër, kjo situatë mosndëshkimi ka sjellë përhapjen e fenomenit të abuzimit me postin e detyrën zyrtare, si dhe abuzimin me pasurinë dhe pronën shtetërore, por edhe monopolizimin e sistemit të pagesave, përqendrimin e shpërblimeve vetëm në pak duar përvetësuesish dhe lënien jashtë loje të gjeneratave të tëra.

Por kjo situatë disapunësimesh antiligjore ka sjellë edhe shtimin e papunësisë në radhët e intelektualëve të rinj dhe mënjanimin e politikave sociale, aq të domosdoshme për një shoqëri transitive e të goditur prej krizave, siç është kjo e jona, sepse do të mjaftonte vendosja e pak rregulli në këtë sistem të hapërdarë disapunësimi për të përfituar vende të reja pune. Nëse do të bëhet i funksionueshëm detyrimi ligjor i zbatimit të orarit zyrtar, p.sh., që në fillim do të liroheshin 20% e vendeve të punës që aktualisht, mbahen peng prej të punësuarve në administratën shtetërore e atë private. I konvertuar në vlerë numerike ky 20 përqindësh i këtyre të dy e trepunësuarve del të mbajë peng rreth njëzetë mijë vende të reja pune, që do të thotë se nga zbatimi i alternativës detyruese ligjore: ose i punësuar në shtet, ose në privat, - mund të punësohen që në dorë të parë rreth njëzetë mijë kuadro të rinj.

I parë sipërfaqësisht fenomeni i disapunësimit duket si një e zakontë e përligjur për një shoqëri kapitaliste, kurse argumenti i vendosjes së rregullit dhe detyrimit ligjor si një alternativë që e kufizon të drejtën e individit. Dhe do të ishte vërtetë i tillë, nëse disapunësimet nuk do t’i hynin në hise njëri-tjetrit, në kuptimin që e drejta e përvetësimit të pagës së dytë e të tretë, nga punësimi në sistemin privat, nuk do ngrihej mbi abuzimin me detyrën zyrtare shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›