“Vrasësi shoqëronte misionin shqiptar në Strasburg”Nga Gianluca Di Feo, “Corriere Della Sera”, 29 janar 1999Milano - Nga kallashnikovi te kostumi elegant, nga gomonia te klasa biznes. Dhe kështu, mund të ndodhë që një kapobandë në moshë të re të bred
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
“Vrasësi shoqëronte misionin shqiptar në Strasburg”Nga Gianluca Di Feo, “Corriere Della Sera”, 29 janar 1999Milano - Nga kallashnikovi te kostumi elegant, nga gomonia te klasa biznes. Dhe kështu, mund të ndodhë që një kapobandë në moshë të re të bredhë Evropën si shoqërues i një delegacioni zyrtar qeveritar, i nisur për në Strasburg: një i kërkuar për vrasje ngarkohet të jetë i pranishëm në ratifikimin e traktatit për Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Një skenar i denjë për kartelet kolumbiane ose për ndodhitë e lashta të Cosa Nostra-s, i cili tashmë përsëritet në anën tjetër të Adriatikut. Me të njëjtat ëndrra dhe me të njëjtat ambicie, të cilat motivuan gangsterët e dikurshëm të ndërtonin perandori biznesi.
Edhe i fuqishmi “skipetaro” (shqiptar) ndihej i gatshëm për një kapërcim cilësor: hetuesit thonë se ai dëshironte t’i investonte kapitalet e tij për krijimin e shoqërie tragetesh. Një linjë korrekte ligjore ndërmjet Vlorës dhe Brindisit, e ndërtuar me paratë e fituara nga veprimtaria me vite të tëra e trafikut, dhe e gatshme të mbyllte një sy për ngarkesat e paligjshme.
Por siguria e tepruar tradhtoi planet e bosit mendjemadh. I bindur në mbrojtjen e miqve të tij me pushtet nuk i vuri rëndësi pasaportës së tij të fundit. Emrat dhe dokumentet i ka ndërruar shpesh: nga emri i vërtetë, Gazmend Mahmutaj, në Raqi Gjoni, nga Eduart Toska në Kristo Dako; në një rast arriti dhe deri aty sa të hiqej si grek, duke marrë identitetin e Spyridon Malamatenios. Për këtë mision të një niveli të lartë nuk iu trembej vështirësive. Lëvizte me dy përfaqësues të spikatur të koalicionit qeveritar: me Eduard Andonin e Partisë Socialiste dhe me Fatmir Mediun e Partisë Republikane, të dy me pasaporta diplomatike. Bashkë me ta ishte dhe një funksionar i tretë qeveritar, Artur Nuro. Por në doganën e Malpensës doganierëve iu lindën dyshime. Dokumenti ishte shumë i ri: nga një kontroll i shpejtë në kompjuter rezultonte i vjedhur vite më parë. Policët kërkuan ndërhyrjen e specialistëve të qendrës së policisë kufitare të Milanos dhe i kërkuan personit t’i ndiqte për disa verifikime mbi identitetin. Hapu qiell! Dy politikanët shqiptarë i dolën në mbrojtje duke i dhënë “garanci personale”.
“Është me ne, duhet të vijë me ne në Parlament për të firmosur Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare”. Policisë financiare i tregohej edhe ftesa zyrtare për delegacionin, e firmosur nga Komisionerja e BE, Emma Bonino. Iu trembën një incidenti diplomatik, por kompjuteri qendror i Viminale-s hodhi poshtë çdo dyshim: krahasimi i shenjave të gishtërinjve bëri që të shfaqej në ekranin e kompjuterit lista e emrave të përdorur nga i dyshuari, si dhe dy urdhra për arrestim, njëri prej të cilëve për vrasjen e një bashkatdhetari. Ndërkohë që delegacioni vazhdoi fluturimin për në Strasburg, Mahmutaj u dërgua në burgun e Busto Arsizio-s, ku gjykatësit e Veronës firmosën arrestin.
Hetimet po vazhdojnë dhe rindërtimi i karrierës së vrasësit të fortë duket se po sjell surpriza pafund. Hetuesit thonë se ky person kishte një rol të spikatur në klanin e bregut.
Vetëm 30 vjeç dhe kishte arritur të impononte aftësitë e tij diplomatike dhe manexheriale, duke u bërë njëfarë këshilltari ekonomik. Dhe Mahmutaj kishte vendosur të luante me të sigurtën: të kalonte nga motoskafët te tragetet, por duke vazhduar në biznesin e transporteve me një shoqëri të ligjshme. Planet ishin në rrugë të mbarë, mungonin vetëm autorizimet italiane. Paratë ishin, dhe në Tiranë ndërkohë të gjitha dyert ishin të hapura.
Në një botë, e cila, sipas ekspertëve, është e destinuar të eksperimentojë një model të ri zhvillimi ekonomik: pas narko-republikave jugamerikane, skafo-republika: një tokë, ku e vetmja pasuri është trafiku i njerëzve nëpërmjet kanalit të Otrantos.