E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Arrestimi që më bëri Meta? Nuk merrem me inate personaleNga TV Klan Kryeministri, Sali Berisha, flet në emisionin “Opinion” në TV Klan Cila ka qenë strategjia e kompozimit të kësaj qeverie? Përzgjedhja e këtij kabineti ka qen

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha: Arrestimi që më bëri Meta? Nuk merrem me inate personaleNga TV Klan

Kryeministri, Sali Berisha, flet në emisionin “Opinion” në TV Klan

Cila ka qenë strategjia e kompozimit të kësaj qeverie?

Përzgjedhja e këtij kabineti ka qenë një proces i vështirë për mua, sepse me kabinetin, me ekipin e mëparshëm, ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO, një arritje historike. Me atë ekip ne transformuam klimën për biznesin, bëmë revolucion fiskal, ndryshuam rroga e pensione, pra jam i bindur se ai ekip ishte një ekip i suksesshëm. Nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë votuan për një epokë të re, midis të majtës dhe të djathtës. Diktuan një koalicion. Shqiptarët nuk ia dhanë të gjitha votat e mjaftueshme një koalicioni për të qeverisur plotësisht në katër vitet e ardhshme, po dhanë aq vota sa për të bërë një koalicion me domosdoshmëri. Kjo përbën një risi të qartë. Kjo, në rrafshin politik, por edhe social, do të thosha që përbën një risi pozitive. E vërteta është se qytetarët shqiptarë në njëfarë mënyre i dhanë një përgjigje kampeve politike. I thanë që nuk mund të qeverisni veç, por në një koalicion. Kështu që për shkak të këtij koalicioni, disa nga ministrat e kabinetit i lëshojnë vendin anëtarëve të rinj të koalicionit. Në përzgjedhjen e këtij kabineti kam pasur vështirësinë tjetër se më 28 qershor fatmirësisht unë kam realizuar një qëllim të madh të jetës sime. Kam pasur një qëllim që parlamenti të ketë njerëz sa më të shquar, dhe sot parlamenti shqiptar falë sistemit që e bëmë me opozitën ka personalitete nga të dy palët, më shumë se asnjëherë. Për këtë vendi ka pasur nevojë të madhe dhe ka nevojë të madhe. Në parlament kanë hyrë reformatorë të shkëlqyer, që kanë dhënë kontribut të madh në reformat e këtij vendi. Bazë ka qenë merita, dhe së dyti u bë një përzgjedhje bazuar në kriterin politik. Unë bëra këtë përzgjedhje, që mendoj, duke mos qenë e përsosur, është ndër më të mirat.

Cila ishte merita e Mediut në këtë kabinet?

Me PR ne kemi një marrëveshje paraelektorale, që do të bëjmë fushatë së bashku dhe do të qeverisim së bashku. PR mori 32.000 vota, në zgjedhje. Në rast se kosto e një deputeti për mazhorancën është 10.000 vota, për minorancën është 9000, PR ka 32.000 vota. Në këtë kontekst është e detyrueshme që në bazë të marrëveshjes dhe moralit, PR të përfshihet. Nuk mund të isha unë që do të përcaktoja kandidatin e PR apo të asnjë partie tjetër. Ndryshe nuk do të ishte koalicion, por diktat. Unë do pranoj kandidatin që do të sjellë partia e tij. Zoti Mediu ka një dosje në gjykatë. Një gjë dihet që akuza e parë e bërë për korrupsion, u dorëzua. Dosja që është, është për shpërdorim detyre dhe unë dua të deklaroj se qeveria ime nuk do të nxjerrë as pengesën më të vogël, për qeverinë time nuk ekziston imuniteti. Nëse dikush mendon se u vendos për t’i krijuar imunitet, nuk do ndodhë. Nuk ka imunitet ndaj sistemit gjyqësor dhe ndaj akuzës.

Do të preferonit një emër tjetër nga PR?

Unë e kam shprehur dhe e shpreh se do të pranoj kandidaturat që do të sjellë PR. Më mirë do e grisja marrëveshjen se sa t’i diktoja emra. Nuk jam penduar fare për marrëveshjen me PR, sepse është aleat i PD që nga themelimi i saj.

Ky kabinet me këto emra duket si një PD e të rikthyerve dhe e KOP-it, ajo e “vjetra”, si e zotit Bode p.sh, nuk është prezente. A krijon ndonjë sensibilitet te PD e “vjetër”? Së dyti, emrat që ju shpallët, ishin surprizë, mos ka mungesë transparence brenda PD dhe të ketë të pakënaqur?

Për mua nuk ekziston një PD e vjetër apo e re. Një e vërtetë është, se disa prej këtyre personalitete, sot ministra, kanë pasur disa periudha kundërshti të mëdha me mua. Por secili prej tyre kanë meritat e tyre të padiskutueshme në PD, që nga themelimi i saj. Rikthimi i tyre në PD ka qenë shumë i mirëpritur. Unë jam shumë i lumtur që sot Neritan Ceka bashkëpunon me mua në fushën e kulturës. Por nuk kam qenë asnjëherë jo i sinqertë. Këta janë sot për investimin dhe kontributin e tyre në vite. Unë e konsideroj këtë një plotësim dhe e kam pritur me shumë kënaqësi bashkimin me zotin Pollo, i cili u shkëput. Emrat janë konsultuar me bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë, me zonjën Topalli, Bode, Patozi pjesërisht. Por janë mbajtur, sepse u bë studim mbi studim. Ramë dakord që në fillim që ne të mos përflisnim emra për anëtarët e qeverisë dhe për këtë i jam mirënjohës edhe zotit Meta. Dhe ministrat patën një largim dinjitoz. Nuk ka deputet që nuk duhet të mendoj që të bëhet ministër, parlamenti është arenë.

Koalicioni me Metën ishte koalicion liderësh apo programesh? Po të ishte Rama në vendin e Metës, do të bënit koalicion?

Absolutisht po, do të bëja koalicion. Do të lexoja votën e shqiptarëve. Zoti Meta ishte në këtë rast, krijonte një qeveri konstante dhe e bënte vendin me një opozitë të fuqishme. Para interesave të gjera të vendit, nuk do të jetë kimizmi politik. Do e bëja dhe me Ramën, po të mos ecte, do të thosha para shqiptarëve që nuk ecën.

A ka moral politik ky koalicion? Ju në vitin 2001 keni bërë dy akuza të forta kundër LSI, vjedhja e zgjedhjeve dhe korrupsion ndaj KESH, dhe LSI ka ministrinë që menaxhon KESH. Ka ndryshuar Meta apo ju?

Ilir Meta ka disa vite në opozitë, i ka rezistuar presioneve më shumë se çdo forcë tjetër politike. Është një forcë politike e konsoliduar. Marrëveshja politike është marrëveshje politike. Nëse vendos një marrëveshje të tillë, do e zbatosh. Çfarë t’i thosha unë shqiptarëve, që për shkak të 2001-it do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme?

Po në vitin 2009 po ju keni thënë se LSI është gjysma e kalbur e së njëjtës mollë...

Mos të marrim shprehjet e fushatës, se ato janë të fushatës.

Gjatë fushatës premtuat një qeveri të vogël me 12-13 ministri dhe ndërkohë e zmadhuat qeverinë. Së dyti doja t’u pyesja, si u ndjetë në negociata me LSI, kur Meta ishte kryeministër, kur ju u arrestuat?

Lidhur me ministritë, nëse do kisha fituar si PD zgjedhjet, do të kisha një qeveri të tillë. Tani jemi një koalicion. Zoti Meta formimin e tij politik e ka te politika e jashtme, dhe do të drejtojë dhe koordinojë të gjithë procesin e integrimit. Zëvendëskryeministri që kam pasur, Pollo, ka pasur detyra shumë të rëndësishme për vendin, që kanë të bëjnë me gjendjen civile, titujt e tokës, ka ndjekur reformat në shëndetësi. Në këtë katër vjeçar, po të më pyesni mua cilët janë dy objektivat më madhorë me të cilët beson se do të ndryshojë Shqipëria, janë një infrastrukturë e re për Shqipërinë dhe dixhitalizimi i saj. Nëse ne nuk e sjellim vendin në moshën dixhitale, s’e kemi sjellë aty ku duhet. Është një ambicie që ka bërë disa hapa pozitivë, por duhet të vijojë shumë më shumë. Zoti Pollo do të ketë edhe misionin e shtytjes përpara të projekteve për moshën dixhitale. Ministri i Jashtëm, për shkak të detyrave që ka, nuk mund të jetë ai që të lidhë qeverinë me parlamentin, do e bëjë Pollo. Ndaj tërë këto detyra e bëjnë të domosdoshëm një ministër të tillë. Ndaj unë nuk kam shtuar asgjë. Kemi qenë 16 si kabinet qeveritar dhe po aq do të ulemi. Së dyti, nuk merrem me inate personale, por merrem me të ardhmen.

Ka pasur gjithnjë një paqartësi se si mund të bëhet karrierë në PD dhe me surprizat e qeverisë së re, ajo u thellua. Pse kjo përzgjedhje? Së dyti, në kabinet keni vetëm një grua, në një kohë që në parlament është votuar një ligj, që të paktën të keni 30% të pjesëmarrjes së grave. A është shkelje ligji?

E pranoj këtë të fundit si një dobësi që duhet të shkojë drejt korrigjimit. Mos u çudisni dhe ju që një ditë të më shihni me gjysmën e qeverisë me zonja. Unë kam një problem që nuk mund të kem paragjykim, që me një njeri që e ftoj, të përmend të kaluarën. Jo rrallë më ka ndodh që eksponentë politikë të forcave të ndryshme opozitare të më thonë, se unë nuk rri dot me këtë apo atë. Unë u them, nuk rri, po ti je aty për shkak të kryetarit apo për shkak të investimit tënd. Secili rri për investimin e tij dhe investimi duhet respektuar.

A janë të përfaqësuar në qeveri shtresëzimet e PD si Topalli, Topi?

Çdo njeri që në PD do të përfaqësohet ka kryetarin e vet. I përfaqësoj unë. Edhe zonjën Topalli, edhe zotin Topi e përfaqësoj unë. Partia përfaqësohet nga kryetari. A ka hapësira, ka. Ka pasur debate dhe dialog.

A është një grup parlamentar inatesh ky që hyri në Kuvend i PD, një fakt që lidhet me raportin e disa deputetëve që lidhen me Topin nuk janë më as në grupin parlamentar të PD, as në ministri? A keni pasur parasysh raportin e tyre me Topin? Si për shembull, Sali Shehu, Pal Dajçi, Safet Sula etj..

Absolutisht jo. Mua më vjen çudi se një listë të tillë s’e kam parë ndonjëherë. Njerëzit mund të drekojnë dhe darkojnë me cilindo. Unë vlerësoj kontributin e çdo njeriu. Vlerësimin e ndërtoj në anën pozitive të secilit. Gjithçka bazohet tek ekipi dhe drejtuesi i ekipit, s’mund të drejtoj një ekip duke u marrë me anët negative të tij. Ai duhet të shfrytëzojë anët më pozitive të tij. Për shembull, po marr Pal Dajçin, kam respektin më të madh për të, se kam kaluar një karrierë të tërë politike, apo Safet Sula, është një nga njerëzit me integritet më të mirë. Por gjithnjë kur bën një listë nuk i përfaqëson të gjithë personalitetet.

Si i keni marrëdhëniet me presidentin Bamir Topi?

Marrëdhëniet e mia me presidentin Topi janë ligjore, institucionale.

Cila ka qenë logjika për të çuar Nishanin te Ministria e Drejtësisë, që ka qenë një pikë problematike për ju? Cili ka qenë kriteri i përzgjedhjes së Genc Rulit te Bujqësia apo e Arben Imamit te Mbrojtja?

Kriteri i përzgjedhjes së Bujar Nishanit si ministër i Drejtësisë është se ai është një nga drejtuesit më me eksperiencë të PD. Një nga problemet më madhore është vuajtja e dënimit, unë mendoj se Nishani do t’i përgjigjet plotësisht kësaj detyre. Është një politikan me karrierë të gjatë në PD, me kontribute të veçanta. Pse u lëviz nga ministri i Brendshëm? U lëviz për shkak të një operacioni që nuk i ka cenuar atij asgjë nga kapacitetet mendor, i është vështirësuar lëvizja. Dhe ministri i Brendshëm ka shumë lëvizje jashtë vendit. Po të flasim për vizat, Ministria e Brendshme është kryesorja, ndaj në këtë drejtim është i domosdoshëm një reagim shumë aktiv.

Zoti Basha është shumë i qeshur për të qenë ministër i Brendshëm...

Asnjë njeri nuk ka lindur ministër. Basha do t’i përgjigjet shumë bindshëm Ministrisë së Brendshme

A do e plotësojë dot Shqipëria kushtin teknik për liberalizimin e vizave, që 25% e shtetasve të kenë pasaporta biometrike?

Nëse interesi kombëtar, lëvizja e lirë pengohet, ne do të reagojmë. Ne nuk mund të pengohemi nga pasaportat biometrike, sepse ne kemi kompaninë që po i prodhojmë. Nuk mund të humbim një prioritet të tillë, për pasaportat. Jam zotuar se vitin e parë të mandatit të dytë, për lëvizjen e lirë të shtetasve. Unë jam i bindur se ky problem është në rrugë të mbarë.

Për PDI ju nuk bëtë asnjëherë negociata dhe nuk i ndatë njësoj me PR, për postet e ministrave. Pse?

Jam deklaruar se çdo aleat i imi në ndarjen e qeverisë, do të ketë koncesion nga PD më shumë se vota. Por PDI ka marrë 14.000 vota, ndërsa PR mori 32.000 vota. Ndaj nuk ka asnjë tjetër, veçse proporcionalitetit. Po kështu në këtë parti ka disa probleme. Unë nuk përfshihem, ndaj u kam thënë zgjidhni problemet më parë. Partitë e vogla dëmtohen nga mosmarrëveshjet e tyre.

Ju deklaruat dy prioritetet e qeverisë së re. Si do të arrini të bëni investime në infrastrukturë, kur ju i keni harxhuar fondet përkatëse për këtë vit për të bërë investime, dhe të ardhurat nga doganat janë në ulje. Është shenjë e krizës botërore?

Ka një krizë botërore, që po faktohet më pak e egër nga çfarë parashikohej. Shqipëria nuk është një vend që pati krizë. Pati pasoja krize, jo krizë. Sepse vendet që patën krizë, ulën rrogat me 8-14%. Shqipëria, meqenëse po përfundon rruga, pati një rritje të investimeve, e ku ka gjë më pozitive. Unë mendoj se ka pasur dy faktorë, i pari se ne investimin e kemi 2 herë më të madh se vetë rajoni. Ka një rënie te të ardhurat e doganave, por që nuk është i saktë, sepse, të planifikosh, në një kohë kur nafta ishte 200$, se do të vazhdojë ajo, sot është 72$ fuçia. Ka një rritje të kursit të euros dhe kjo ka rritur borxhin me 1%.

Katolikët kanë zgjedhur 14 deputetë dhe nuk janë përfaqësuar në qeveri...

Ky është një komunitet ku PD ka një mbështetje të fuqishme. Qeverisja në tërësi është e përfaqësuar në një nga nivelet e larta të shtetit, zonja Topalli. Por natyrisht nuk ka qeveri pa defekte dhe janë gjëra që rikuperohen.

Nëse Topi nuk dekreton Mediun si ministër të Mjedisit, si mendoni se do të zgjidhet kjo çështje?

Në të drejtën kushtetuese ministrat janë atribut i parlamentit dhe kryeministrit. Ky është një atribut i kushtëzuar i çdo presidenti. Në një republikë parlamentare nuk ekziston që presidenti të emërojë apo shkarkojë ministra. Është parlamenti thelbësor dhe më i rëndësishmi në një sistem të tillë.

Ka pasur ndikim Nano në marrëveshjen për koalicionin?

Nuk mendoj se ka pasur asnjë ndikim. Ka një tendencë nga Rama ta kthejë Nanon në politikë, ai vazhdon pushimet në Vjenë, por ai e rreshton duke thënë Berisha, Meta, Nano.

Në rast se një nga ministrat e LSI dështon, kush e mban përgjegjësinë për këtë?

Kjo është e njëjtë me dështimin e një ministri demokrat. Unë dhe kryetari i LSI do të marrim masat përkatëse.

Ju duket korrekte deklarata që keni bërë në jug për shtimin e banesave? Mund të ketë një bum ndërtimesh paralele?

Nuk do të ketë shtime paralele, kjo nuk është tamam zgjidhja për turizmin, por kemi pasur probleme të mëdha këtë vit me dhomat dhe këtë mund t’i shtojmë menjëherë. Turizmi familjar nuk duhet injoruar deri në krijimin e atij të mirëfilltë. Greqia është një shembull i mirë i kësaj rruge.

Një nga çështjet e përfolura ka qenë zgjedhja e prefektit të Tiranës. Mbi ç’kritere e keni përzgjedhur atë?

Keltis Kruja është një nga drejtuesit më eficientë të rinisë së PD. Ai vjen nga një familje me tradita të mira tiranase. Nga bashkëmoshatarët e tij disa janë bërë ministra, zëvendësministra etj., dhe këta janë të gjithë një brez i tillë të rinjsh, që meritojnë të shpërblehen për angazhimin që kanë dhënë që herët në PD.

PS, partia më e madhe e opozitës, nuk është në parlament. Tashmë opozita ka vendosur kushte dhe liberalizimi i vizave dhe çështje të tjera të mëdha varen nga raporti me opozitën. A jeni ju sensibël për kushtet që ka vendosur opozita, kryesisht për hapjen e kutive, mund të bëhet një komision parlamentar? Pse është kaq e vështirë për hapjen e kutive?

Lidhur me numërimin. Zgjedhjet e 28 qershorit janë zgjedhjet e para, kur rezultatet janë të certifikuara nga të gjithë komisionarët pa asnjë vërejtje. Opozita kërkon numërimin e Beratin, por kutia u hap dhe nuk doli asnjë mandat. Në dt. 8 korrik, Gjonçaj ka marrë videon e plotë të Beratit, por Rama, as në KQZ, as në Gjykatë Kushtetuese nuk qe i zoti ta përdorte këtë video për provë. Unë kam bindjen absolute se në Fier na morën një mandat, por ka një vendim gjykate. Por ligji i komisioneve hetimore nuk lejon çështjet që janë në gjykim ose të gjykuara. Ramës i jap një zgjidhje, që të marrë filmin e zonave dhe t’ua shpërndaj medieve. Ai vë kushte që nuk mund të zbatohen. Ai e bën këtë për të penguar lëvizjen e lirë. Fatmir Xhafaj ka liruar 200 të burgosur në 2005-ën, por ti nuk ke të drejtën t’i akuzosh ata. Ne kemi humbur Pogradecin në 2005-ën me këta të burgosur, por nuk e kemi thënë këtë. Ai të japë fakte, sepse këto akuza janë të ulëta. Opozita është e mirëpritur në parlament. Ai po ndjek rrugën më shkatërruese për forcën politike që drejton. Unë mund të kem 100 vërejtje për hetimin e Xhindit, por prokurorinë nuk e zëvendësoj dot. E ftoj të ulemi dhe të diskutojmë në lidhje me çështjet. Mënyra se si po sillet është shkatërrimtare, ai po përdor pushtetin vetëm për të shkatërruar. Për mua është më komode të kem një kryetar se sa ta ndërroj një herë në katër vjet.

Keni menduar për presidentin? Do të jetë Topi?

Posti i Presidentit është stabël, kur të vijë koha do të diskutohet emri i tij.

Mund të tregoni se cilat kanë qenë gabimet në mandatin e kaluar dhe që do t’i ndreqni tani?

Reforma në shëndetësi. Ajo ka filluar, zonja Godo la një marrëveshje të shkëlqyer, që ka të bëjë me procedimin sipas modelit gjerman. Një reformë e thellë duhet bërë në fushën e pensioneve dhe ndihmës ekonomike. Ka një rënie të madhe të varfërisë dhe një rënie shumë më të madhe të mjerimit, por ekzistenca e mjerimit është një dhimbje e madhe, sado që është një numër i vogël, por në vetvete ata janë shumë. Varfëria, për fat të keq asnjë vend nuk ka mundur ta zhdukë atë, por mjerim s’do të ketë.

A keni pasur propozim nga Rama për bashkëpunim?

Përpjekje të shumta. Sugjerime të shumta. Tani, që të më sugjeronte mua largimin tim, deri aty s’mund të arrinte. Por ka pasur propozime të ndryshme, qoftë për koalicion, qoftë për mbështetje të jashtme që të mos bëhej koalicioni me LSI, nuk kanë qenë në kohën dhe në momentin e duhur.

Ju keni kritikuar zotin Nano. Por ju s’keni dhënë një gjë më të mirë. A shikoni te përpjekjet e zotit Rama një lloj modeli tuajin? A mund të ketë sukses?

Dhe në momentet më të vështira të saj, Partia Demokratike nuk ka bërë kurrë kongrese të mbyllura. Ka qenë gjëja më e rëndë e saj, por që e shpëtoi media. Ajo ishte një gjë tmerrësisht e rëndë që s’ka ndodhur dhe s’do të ndodhë kurrë në PD. Për sa i përket traditës, më vjen keq që vjen te ne, zoti Butka ka hyrë me marrëveshjen e tij, pa bërë asnjë marrëveshje me mua. Ramës i them, të përsërisësh gabimet e kundërshtarit nuk është mençuri. Por këtë që po bën, po bën një gjë shumë të rëndë, sepse, pavarësisht se kanë një krizë, pavarësisht se kanë kaluar një tronditje, të gjitha këto duhet të zgjidhen. Një opozitë, në vend që të merret me qeverisje, është angazhuar me një betejë shumë të rëndë brenda vetes. Vendit në tërësi nuk i duhet një gjë e tillë. I takon kryetarit të reflektojë.

Ju po flisni me dhimbje për atë që po ndodh në PS, nga ana tjetër keni folur për garancitë se në 4 vitet e ardhshme do të zbatoni rregullat. Cila është garancia që këto nuk i zbatoni në partinë tuaj? Ka kaluar çdo afat për mbledhjet e forumeve tuaja, të Kongresit. Me këtë mënyrë ku po shkojmë?

Po shkojmë drejt Kongresit të ardhshëm. Të vendoset qeveria. Është bërë faza e parë, do të bëhet faza e dytë që do të vendosë edhe forumet. Mandati i dytë të bën shumë të kujdesshëm që të bën të mendosh për mandatin e tretë, të bën shumë më të përmbajtur për të realizuar mandatin e tretë.

Kryeministri agjëron?

Beson, por s’agjëron.

Nëse ju do kishit humbur, do ta kishit lënë detyrën?

Menjëherë, absolutisht. Unë e kisha deklaruar dhe e deklaroj, është gjëja më normale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›