E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshime mbi vrasjen e djalit të Osama bin Ladenit

Një prej djemve të Osama Bin Ladenit mendohet të jetë vrarë nga një sulm raketor amerikan në fillim të këtij viti në Pakistan, deklaroi një zyrtar i lartë amerikan për "National Public Radio". Sipas asaj që raportohet thuhet se amerikanët besojnë se janë të bindur 85 për qind se Saad Bin Laden ka vdekur, por shtojnë se pa trupin e viktimës është e vështirë të jenë plotësisht të sigurt. "Djali nuk ishte synimi ynë, por mesa duket ai u ndodh në vendin e gabuar në kohën e gabuar", tha zyrtari amerikan pa specifikuar vendin se ku mund të ketë ndodhur ngjarja. Më pas ai shtoi se Saad Bin Laden mund të ketë qenë pjesë e "Al Kaedas", por jo një prej njerëzve kryesorë në vendimet e saj. "Kjo çështje u shndërrua në një problem për shkak të mbiemrit që ai mbante. Në fillim nuk e dinim se kush ishte", tregoi ai më tej për radion NPR. Saad Bin Laden është djali i tretë i Osamës dhe besohet se ishte vetëm 20 vjeç. Agjencitë e spiunazhit amerikan mendojnë se ai mund të jetë larguar drejt Pakistanit, pasi ka kaluar disa vite nën arrest shtëpie në Iran. Ekspertët saktësojnë se ai mund të jetë vrarë në një nga sulmet raketore që janë kryer nga avionët amerikanë pa pilotë në këto anë në muajin e parë të këtij viti. Ata nuk japin as një datë të saktë se kur mund të ketë ndodhur sulmi, por janë më se të sigurt se ka ndodhur në fillim të vitit. Nuk bëhet e ditur nëse edhe i ati ndodhej në të njëjtën zonë me të birin, megjithatë mendohet se nëse është gjallë, ai fshihet ende në malet që gjenden përgjatë kufirit mes Afganistanit dhe Pakistanit. Saad akuzohej se ishte përgjegjësi kryesor për sulmin në Tunizi në vitin 2002, ku mbetën të vrarë 19 persona. Amerikanët i shpjeguan sulmet e tyre në këtë zonë me faktin se aty mendohet se ndodhet bazat e "Al Kaedas" dhe militantëve talebanë. Në janar të vitit 2009, Departamenti Amerikan i Thesarit i kishte "ngrirë" llogaritë bankare të Saad Bin Ladenit, mbi bazën që dyshohej se i përkisnin rrjetit terrorist të "Al Kaedas". Thuhej se ai ishte i martuar me një grua në Jemen.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›