E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut: Hilari Klinton, qesharake dhe aspak inteligjente

Koreja e Veriut nisi një sulm të ashpër personal ndaj sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, pasi ajo e kishte etiketuar lidershipin e Pjongjangur me fjalët "fëmijë të vegjël dhe adoleshentë të padisiplinuar që kërkojnë të jenë në qendër të vëmendjes". Klinton tregoi se refuzimi i Koresë së Veriut për të diskutuar rreth programit të saj bërthamor mund të provokojë një garë armatimi. Në takimin e zhvilluar me vendet e Azisë Juglindore në Phuket, Tajlandë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut akuzoi Klintonin duke deklaruar se "ajo ka bërë gjithmonë vërejtje vulgare, aspak me vlerë dhe të përshtatshme për pozicionin e saj që nga koha kur është zgjedhur në krye të detyrës". Lajmi i bërë i ditur nga agjencia e shtetërore e lajmeve KCNA vazhdon më tej duke treguar se zëdhënësi e ka cilësuar Klintonin si një "zonjë qesharake dhe aspak inteligjente". "Një herë ajo duket si një vajzë në shkollë fillore e herë të tjera si një pensioniste që shkon të bëjë pazar", thuhet në deklaratë. Beteja verbale mes të dyja vendeve arriti kulmin kur shteti komunist bëri me dije se bisedimet gjashtëpalëshe për çështjen e armëve bërthamore nuk do të vazhdonin më për shkak të qëndrimit armiqësor të SHBA. Klintoni e kishte paralajmëruar edhe më parë se refuzimi i Koresë së Veriut për të diskutuar rreth programit të saj bërthamor mund të shkaktonte tensione dhe të provokonte garë armatimi në Azinë Verilindore. Nga ana tjetër, sekretarja amerikane e Shtetit deklaroi se Uashingtoni ka ende dëshirë të bisedojë edhe me Iranin për çështjen bërthamore, por qëndrimi i këtij të fundit tregon se Teherani nuk dëshiron t‘i përgjigjet kërkesës së tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›