E Diel, 1 Nëntor 2026

Silvio Berluskoni, vazhdojnë regjistrimet "e nxehta" të Kryeministrit

Vetëm një ditë pas deklaratave të Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni mbi lidhjen e tij me prostitutën Patrizia D‘Addario, dalin në dritë regjistrime të reja, të cilat mendohet se janë bërë gjatë kohës që çifti Berluskoni-D‘Addario ka qenë në momente shumë intime. Në fazën e tretë të transkriptimeve, që janë publikuar dje nga e përjavshmja italiane "Espresso", Patrizia D‘Addario është regjistruar teksa i tregon Kryeministrit italian se kanë kaluar shumë muaj që kur ajo ka kryer marrëdhënie për herë të fundit dhe se një djalë më i ri se ai në moshë mund të kishte arritur më shpejt në orgazëm. Në regjistrime dallohet qartë zëri i Berluskonit që e këshillon Patrizian se "i duhet të kryejë seks me vetveten dhe se duhet ta prekte më shpesh". Dita e takimit të supozuar nuk bëhet e ditur në regjistrimet që gjenden online në sajtin e revistës, por ajo që dihet tashmë është se zonja D‘Addario ishte "punësuar" nga biznesmeni Xhanpaolo Tarantini për të shkuar në festat e organizuara në rezidencën zyrtare të Kryeministrit, në pallatin "Grazioli" në Romë, tetorin dhe nëntorin e vitit të shkuar.

Në transkriptimet e fundit përfshihen shkëmbime dhe dialogë të tillë si:

PD: Një burrë më i ri se ti do të kishte arritur menjëherë orgazmën... ai duhej ta kishte arritur tashmë. Zakonisht të rinjtë kanë më shumë tension...

SB: Por, nëse më lejon... unë mendoj se kjo është diçka familjare

PD: Çfarë?

SB: Të arrish në orgazëm

PD: A e dini, ka shumë kohë që nuk bëj seks në këtë mënyrë si me ju sonte. Kanë kaluar muaj, që kur u ndava me të dashurin tim... Është normale kjo?

SB: A mundem të them diçka? Ti duhet të bësh seks me veten. Duhet të prekesh më shumë...

Në një tjetër pjesë të regjistruar të nxjerrë nga revista italiane, Kryeministri është kapur teksa i tregon Patrizia D‘Addarios rezidencën e tij luksoze në Sardenjë, vilën "Certoza", ku mendohet se organizonte shpesh festa dhe ftonte vajza të reja me pagesë. Teksa i tregon bukuroshes bareze pronën e tij gjigante prej 120 hektarësh, ai nuk harron t‘i zbulojë edhe detaje të tilla si vendi ku bëhen akulloret, liqenin, mjellmat dhe fosilet e balenave. Po ashtu, Kryeministri i tregon se aty janë gjetur edhe 30 varre të vjetra. Në regjistrimet e mëparshme të botuara po nga kjo revistë italiane të martën, prostituta bareze është regjistruar teksa diskutonte takimin e saj të parë me Kryeministrin me Tarantinin. Ky i fundit, që është hetuar nga prokurorët e Barit për lidhje me korrupsionin dhe prostitucionin, i tregon Patrizias se Kryeministri nuk do t‘i drejtohej asaj si një prostitutë, por si një mikeshë e mirë e tij. Tarantini e kishte paralajmëruar D‘Addarion se lideri italian nuk përdorte masa mbrojtëse në shtrat. Nga zyra e shtypit të Kryeministrit nuk pati asnjë koment rreth regjistrimeve të reja që vërtetojnë edhe një herë lidhjen e Berluskonit me prostitutat dhe seksin me pagesë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›