E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dyshime për parcela me kanabis, policia kontrolle në Malësinë e Madhe, angazhohen 100 forca policie

Policia e Shkodrës ka nisur një operacion anti-kanabis në Malësinë e Madhe. Në operacionin e koduar “Alpe të pastra”, janë përfshirë 100 forca policore dhe 6 dronë, me qëllim kontrollin e territorit malor, në zonat me risk të lartë kultivimi.

Policia bën me dije se fillimisht do të kontrollohen territoret e njësive administrative Shkrel dhe Gruemirë.

“Grupet e kontrollit kanë në dispozicion dronë dhe do të kontrollojnë jo vetëm zonat malore, por çdo territor të këtyre zonave, duke u përqendruar edhe në ato zona që në vitet e kaluara, janë evidentuar nga shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, bimë narkotike të kultivuara.

Gjatë momenteve të para të kontrollit, janë evidentuar disa vende të hapura rishtas, ku dyshohet se në këto miniparcela mund të kultivohet kanabis, të cilat do të mbahen nën kontroll nga shërbimet e Policisë në vijimësi, me qëllim parandalimin e tentativave për kultivim të bimëve narkotike”, njofton policia.

Operacioni policor antikanabis “Alpe të pastra” do të vazhdojë dhe në ditët në vijim, në territoret malore në të gjithë qarkun Shkodër.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›