Mosardhja e letër-porosive, mbyllen hetimet ndaj Damir Fazlliç
Mosardhja e letër-porosive nga Qipro, Zvicra dhe Bosnja ka bërë që prokuroria t’u japë fund hetimeve ndaj serbo-boshnjakut Damir Fazlliç. Kështu, organi i akuzës është dorëzuar dje, kur ka qenë dhe dita e fundit e hetimeve ndaj Fazlliçit, duke e mbyllur dosjen ndaj këtij të fundit, që akuzohej për pastrim parash. Një pjesë e mirë e përgjegjësisë për mbylljen e hetimeve ndaj serbo-boshnjakut bie edhe mbi Ministrinë e Drejtësisë, e cila nuk ka arritur dot që të sigurojë letër-porositë nga homologet e veta në Qipro, Zvicër dhe Bosnjë.
Mbyllja e dosjes
Edhe pse i zgjati dhe me një muaj hetimet e veta ndaj serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, organi i akuzës ka dështuar me dosjen hetimore ndaj këtij të fundit, duke e mbyllur atë ditën e djeshme. Kjo, për arsye të mosardhjes së informacioneve të kërkuara me anë të letër-porosive të dërguara drejt Zvicrës, Bosnjës dhe Qipros. Prokuroria priste që nga Qipro të vinin informacionet në lidhje me kompaninë “Altaria Research Limited”, me anë të së cilës prokuroria dyshonte se Fazlliç pastronte pará duke ia shitur asaj shoqërinë “Crown Acquisitions”, në vlerën e 1,7 milionë eurove. Ndërsa nga Zvicra, organi i akuzës kërkoi të dhëna për disa llogari bankare, të cilat prokuroria dyshonte se ishin vënë me anë të pastrimit të parave. Duke qenë se kjo gjë nuk ka ndodhur, organi i akuzës është detyruar dje që të heqë dorë nga dosja hetimore ndaj serbo-boshnjakut. Ky i fundit kishte kërkuar pak kohë më parë pavlefshmëri të hetimeve në ngarkim të tij, pasi, sipas Fazlliçit, ishin tejkaluar afatet. Hetimet ndaj Fazlliçit nisën rreth tetë muaj më parë, ndërsa mosardhja e letër-porosive bëri që ato të mbylleshin. Një pjesë e përgjegjësisë për këtë bie edhe mbi Ministrinë e Drejtësisë, e cila nuk arriti dot që të sigurojë nga homologet e veta letër-porositë e kërkuara nga ana e prokurorisë. Gjatë hetimeve të saj, prokuroria zbuloi se Damir Fazlliç ka transferuar 1.7 milionë euro nga një bankë shqiptare drejt një banke në Cyrih, Zvicër. E gjithë procedura është kryer pas shitjes së kompanisë “Crown Acquisitions”, duke ngritur dyshime të forta se serbo-boshnjaku Damir Fazlliç ka kryer pastrim parash në Shqipëri. Hetuesit e çështjes paraqitën fakte, sipas të cilave Fazlliç ka blerë prona në Durrës, saktësisht në vendin e quajtur Porto Romano me vlerë 1.7 milionë euro. Sipas investigimeve të prokurorisë së Tiranës, shoqëritë që kanë blerë këto prona nuk zotërojnë asnjë kapital, madje janë regjistruar në gjykatë me një kapital prej 100 mijë lekësh (të reja). Shoqëria “Crown Acquisitions” është regjistruar në gjykatë më datën 25.09.2005, me vendimin numër 34011 të gjykatës së rrethit Tiranë. Ortaku i vetëm është Damir Fazlliç dhe kapitali themeltar 100 mijë lekë, i ndarë në 100 kuota. Megjithatë, pavarësisht këtyre, tashmë dosja hetimore ndaj tij është mbyllur përfundimisht.