Dyshimet për sulmin, Izraeli ngre komisionin e tij hetimor
Pas sulmit ndaj flotës së anijeve në ujërat ndërkombëtare ku mbetën të vdekur 9 aktivistë, Izraeli ka bërë të ditur se po ngre komisionin e tij të hetimit. Aksioni i komandove izraelite përpara dy javësh në anijen që transportonte ndihmë për palestinezët në Gaza shkaktoi reagim të madh të ndërkombëtarëve dhe OBK-ja paralajmëroi se do të ngrinte një grup hetimor për të hetuar ngjarjen. Por ndaj kësaj deklarate ka reaguar qeveria izraelite, e cila tha se po mendohet për një grup hetimor të pavarur, që do të përfshinte në të dy vëzhgues të huaj, ish-politikanin veriirlandez dhe fituesin e çmimit Nobel të paqes, David Trimble, dhe gjeneralin kanadez të dal në pension, Ken Uatkin. Izraeli me këtë rast ka hedhur poshtë thirrjet për një hetim nga ana e OKB-së. Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i ka kërkuar Izraelit të heq bllokadën e vet ndaj Gazës. Në një deklaratë të pazakonte ky komitet theksonte se bllokada ishte një shkelje e qartë e të drejtës ndërkombëtare.
Kirgistan
Përleshjet, mbeten 117 të vrarë në katër ditë
117 të vdekur është bilanci i katër ditëve përleshje në Kirgistan, ndërmjet grupeve etnike kirgize dhe uzbeke në pjesën lindore të vendit. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e shëndetësisë e cila po ashtu sqaroi se përleshjet kanë lënë 1500 të plagosur. Raportohet se dhjetëra mijëra anëtarë të minoritetit uzbek kanë ikur në Uzbekistan, për t’iu shmangur sulmeve nga bandat kirgize, që ishin të akuzuara për vrasje dhe vënien e zjarrit në pasuritë e pjesëtarëve të minoritetit uzbek. Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ka tërhequr vërejtjen se situata humanitare në pjesën jugore të Kirgizisë po bëhet “kritike”.
Belgjikë
Flamandët fitojnë zgjedhjet parlamentare
Zgjedhjet parlamentare në Belgjikë janë fituar nga nacionalistët flamandë. Ata angazhohen për ndarjen e vendit. Në Valoninë frankofone në jug të vendit, socialistët kanë dalë partia më e fortë. Formimi i qeverisë në Belgjikë do të jetë i vështirë dhe nuk pritet të ndodhë para 1 korrikut, kur Belgjika merr presidencën e radhës së BE-së. Zgjedhjet e parakohshme në këtë vend u bënë të domosdoshme, kur në prill qeveria e koalicionit u shpërbë për shkak të grindjes mes flamandëve që flasin hollandishten dhe valonëve frankofonë.
Gjiri i Meksikës
British Petrolium premton se do të rekuperojë 50 mijë fucoi
“British Petroleum” parashikon se mund ta cojë në 50 mijë fuci naftë në ditë kapacitetin e saj për të rekuperuar naftën e derdhur në Gjirin e Meksikës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompania, e cila duke iu përgjigjur kërkesave të shumta të qeverisë amerikane, ka theksuar se planifikon ta arrijë objektivin brenda qershorit. Objektivi i 50 mijë fuçive të rekuperuara do të arrihet kështu dy javë para kohe, kanë deklaruar burime nga “BP”. Ndërkohë, burime nga administrata Obama kanë pranuar se kompania britanike ka rritur përpjekjet për operacionet e rekuperimit të naftës.
Përgatiti: Blerina Olldashi
15 Qershor 2010