E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema piramidale, arrestohet i dënuari me 10 vite burg



Artan CENA
TIRANË - Kishte krijuar një skemë piramidale, Gëzim Tomani është vënë në pranga gjatë ditës së djeshme. I dënuari me 10 vite burg për disa mashtrime, është akuzuar se kishte marrë shuma të ndryshme deri në 75 mijë dollarë, dy personave duke u premtuar se, do t’i kthente paratë me 2 deri në 3 për qind më shumë. Kanë qenë burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, të cilat kanë bërë të ditur se, 46-vjeçari në kërkim prej disa kohësh, është vënë në pranga pas vendimit të formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Tiranës. Por siç mësohet, Tomani ka qenë nën hetim para katër vitesh dhe për mashtrime me viza. Ai premtonte nxjerrjen e tyre kundrejt pagesës. Në muajin prill ai ishte dënuar me 10 vite burg për veprën e mashtrimit më shumë se njëherë. Në datën 1 prill të këtij viti, ai ishte shpallur në kërkim dhe vetëm dje policia ka mundur ta gjejë dhe arrestojë. Tomani është gjetur në një banesë në lagjen Laprakë në kryeqytet, ku ishte i fshehur nga policia, por edhe nga borxhlinjtë e tij, të cilëve u kishte marrë para. Kanë qenë pikërisht këta të fundit që kanë bërë denoncime ndaj tij.
Mashtrimet
I arrestuari i djeshëm akuzohet se ka mashtruar disa herë dy qytetarë, duke u marrë një shumë të konsiderueshme parash e cila varionin në 75 mijë dollarë. Gjatë marrjes së parave borxh, Gëzim Tomani ka nënshkruar kontrata huamarrëse dhe huadhënëse me motivacion e kthimin e parave me përqindje të ndryshme që varionte nga 2 për qind deri në 3 për qind. Por këtë ai nuk e ka bërë. Pikërisht pas moskthimit të parave, huadhënësit e tij kanë bërë denoncim në polici. Uniformat blu kanë nisur hetimet ndaj tij dhe kanë zbuluar dhe raste të tjera të mashtrimeve që kishte bërë 46-vjeçari nga Tirana. Siç ka është mësuar nga policia e kryeqytetit, Tomani, për të siguruar kthimin e shumave të parave të konsiderueshme brenda afateve të çdo muaji, të dy qytetarëve të dëmtuar, kishte lënë si garanci pasurore pasuri të luajtshme.
Arrestimi
Pasi ishin vënë në gjurmët e të kërkuarit prej disa ditësh, policia dje ka organizuar dhe operacionin për ta vënë në pranga Gëzim Tomanin. Siç është bërë e ditur nga burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, arrestimi i tij është bërë nga efektivët e sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit pranë Drejtorisë së Qarkut. Këta të fundit kanë kapur të shumëkërkuarin Gëzim Tomani, 46 vjeç, lindur e banues në Tiranë. I arrestuari, ishte person i shpallur në kërkim me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet i datës 1 prill 2010. trupi gjykues e kishte dënuar Tomanin me 10 vjet burgim, për veprën penale të “mashtrimit më shumë se një herë”. Në operacion kanë marrë pjesë dhjetëra forca policore që pasi e kanë prangosur 46-vjeçarin e kanë sjellë në qelitë e Policisë së Tiranës. Ai është marrë në pyetje këtu. Pritet që gjatë ditës së sotme, Tomani të njihet me vendimin e dhënë nga gjykata dhe më pas të dërgohet në burg, ku do të kalojë dhjetë vitet e ardhshme. Arrestimi i tij është bërë gjatë ditës së djeshme në Laprakë Tiranë. Me ndalimin e tij, policia ekzekutoi vendimi i Gjykatës në ngarkim të Gëzim Tomanit.

Arrestohet në port kosovari, kishte makinën me targa false
DURRËS- Tre persona u ndaluan në portin e Durrësit, pasi kishin sjellë me traget automjete me dokumenta të falsifikuara, ose të vjedhura jashtë vendit. Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kufirit dhe Migracionit, bënë të ditur se "34-vjeçari Fisnik Halili nga Kosova me banim në Kirchheimer, Wernu (Gjermani) u ndalua në orët e para të mëngjesit të djeshëm gjatë kontrollit për futjen e automjetit tip Volksvagen Cady, me targa ES 069137". Sipas burimeve, 34-vjeçari që nga viti 2005, në mënyrë të përsëritur ka shfrytëzuar të njëjtat targa për të sjellë në Shqipëri automjete të ndryshme. Halili do të përgjigjet para drejtësisë për veprat penale të “falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve” dhe “kontrabandës me mallra të tjerë”, bëjnë të ditur burimet e policisë. Të njëjtat burime thanë se “ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe për 59-vjeçarin me inicialet S. V., banues në Komunën Xhafzotaj (Durrës)". Gjatë verifikimit të kryer në databaset elektronike të policisë në pikën e kalimit kufitar portual, lidhur me mjetin traktor tip “Fiat”, me targa PR20414, që po zhdoganohej në emër të tij, rezultoi se ky mjet ishte vjedhur 9 vjet më parë ne Suedi. Burimet e policisë portuale bënë të ditur gjithashtu se, "ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 41-vjeçari me inicialet I. N., lindur e banues në fshatin Kullë Sukth, Durrës". Sipas burimeve, ai do të procedohet pasi gjatë verifikimit të dokumenteve të triçiklit APE 50 (Piaggio), pa targa, rezultoi se mjeti ishte vjedhur në Itali. Për të dy rastet e fundit materialet për veprën penale “të trafikimit të mjeteve motorike” iu kaluan për ndjekje penale Prokurorisë së Rrethit të Durrësit.

Arrestohet drejtuesit automjeteve
Përplaset në fuoristrada, vdes në autostradë 48-vjeçari
TIRANË - Dy aksidente rrugore kanë ndodhur në Tiranë dhe për pasojë një qytetar ka vdekur. Sipas policisë, nga përplasja e ndodhur në autostradë, ka gjetur vdekjen një person. Aksidenti i parë ndodhi mbrëmjen e dy ditëve më parë, në ora 21:00, në superstradën Tiranë-Durrës, pranë një karburanti. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar uniformat blu. Dje ato bënë të ditur se, nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Aksidenteve, është arrestuar Mario Çibaku, 33 vjeç, banues në Tiranë. Burimet zyrtare thanë se, vënia në pranga e tij është bërë sepse duke drejtuar automjetin fuoristradë “Tuareg”, me targa TR 0010 P, ka aksidentuar me vdekje Hysen Hakën, 48 vjeç, banues në Tiranë. Po dy ditë më parë ka ndodhur një tjetër aksident. Sipas Policisë së Tiranës, specialistët e Seksionit të Hetimit të Aksidenteve kanë prangosur në flagrancë Valter Bushpali, 22-vjeçar, banues në Tiranë, sepse në datën 12 qershor 2010, rreth orës 22:40, në aksin rrugor Babrru-Institut Bujqësor në Paskuqan, duke qarkulluar me mjetin motor “Honda”, pa targa, është përplasur me mjetin motorçikletë “Yamaha”, i drejtuar nga Arjan Balliu, 30 vjeç, banues në Tiranë. Si pasojë e aksidentit mësohet se janë aksidentuar drejtuesit e motoçikletave. Arjan Balliu, është shtruar në reanimacion në gjendje të rëndë, ndërsa Valter Bushpali, ndodhet në SQU, jashtë rrezikut për jetën.

15 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›