Lideri i Vetëvendosjes, Kurti del në gjyq: “Nuk e njoh EULEX-in”
Gjykata e Qarkut të Prishtinës ka rifilluar dje gjykimin ndaj liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili u arrestua disa ditë më parë nga forcat e policisë. Seanca ishte parashikuar të zhvillohej më 21 qershor dhe nga tri aktakuzat me të cilat ngarkohej, atij i ka mbetur vetëm një. Trupi gjykues e ka liruar Kurtin edhe nga akuza e dytë, ajo për “Tentim për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”. Kurti është duke u gjykuar pa praninë e avokatit të tij mbrojtës, për shkak se ai nuk ka pranuar asnjë prej tyre. Përveç kësaj, ndryshe nga seancat e tjera, kur nuk i është mundësuar të lexojë fjalimin tij, në seancën e djeshme, trupi gjykues i ka mundësuar Kurtit të flasë. Në fjalimin e tij, Kurti ka deklaruar sërish se nuk e njeh EULEX-in dhe procesin gjyqësor të filluar nga ky mision. “Mua nuk mund të më ofrohet një gjykim i drejtë brenda këtij sistemi. Veprimtaria ime është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat e EULEX-it për të siguruar pushtetin e vet”, citohet të ketë thënë Kurti. Kryetari i trupit gjykues, Ferdinando De Mongota, ka thënë se seanca u zhvillua më herët, pasi nuk dëshironte që zotit Kurti t’i zgjatej paraburgimi.
Dëshmia
Albin Kurti, fillimisht, ka kundërshtuar të flasë me trupin gjykues, duke thënë se nuk e pranon misionin e EULEX-it dhe nuk e njeh as trupin gjykues në përbërje të gjyqtarëve e prokurorëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Megjithatë, më vonë, Kurti ka dhënë arsyet e tij pse nuk është paraqitur në 10 seancat e kaluara. Mes tjerash ai ka thënë se misioni i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit nuk është një mision teknik, por politik dhe jo demokratik. “Unë nuk u paraqita në seancën e parë gjyqësore, sepse unë nuk e njoh EULEX-in dhe sepse ky rast është i motivuar politikisht. Rifillimi i rastit vetëm konfirmon që EULEX-i është pushtet jodemokratik dhe se ky është një trup gjyqësor i padrejtë. Unë do ta pranoja ftesën prej një gjykate të përbërë prej vendasve të mi, në një Kosovë të lirë nga sundimi ndërkombëtar, të qeverisur nga populli, bazuar në parimet e drejtësisë dhe vetëvendosjes, por unë do ta kufizoj komunikimin tim me këtë gjykatë të EULEX-it, vetëm deri në masën që e mendoj të nevojshme për të përfaqësuar Lëvizjen ‘Vetëvendosje!’, ka thënë Kurti para trupit gjykues, për të shtuar se sistemi gjyqësor në Kosovë nuk ka pavarësi, llogaridhënie dhe transparencë.
Akuzat
Kurti fillimisht u akuzua “për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, për pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues”. Mbi të tani rëndon pika e dytë e aktakuzës. Për këtë akuzë, kryetari i trupit gjykues, Demongota, ka thënë se zoti Kurti mund të dënohet deri me tre vjet burg ose gjobë. Ndryshe, Lëvizja “Vetëvendosje” e ka cilësuar arrestimin e liderit të saj, Albin Kurti, si shprehje e frikës së pushtetit aktual në Kosovë, pas vendimit që kjo lëvizje të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Duke e cilësuar si proces të montuar politik, "Vetëvendosje" ka thirrur protestë për lirimin e Kurtit me datën 21 qershor.
Trafiqet, Dash: Kosova është burim dhe vend tranziti
Raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit vlerëson se Kosova është burim, tranzit dhe vend i destinacionit për femra dhe fëmijë, të cilët janë subjekt i trafikimit të personave, në mënyrë specifike i prostitucionit të detyrueshëm dhe i fëmijëve, që detyrohen të kërkojnë lëmoshë. Në këtë raport theksohet se shumica e viktimave të prostitucionit të detyrueshëm janë femra të reja nga Europa Lindore, përfshirë Moldavinë, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Serbinë. Fëmijët dhe femrat në Kosovë janë subjekt i prostitucionit të detyrueshëm brenda Kosovës dhe po ashtu në vendet në mbarë Europën. Sipas raportit, një OJQ ka raportuar se ka identifikuar më se 300 fëmijë, veçanërisht nga komunitetet rome, që janë detyruar të kërkojnë lëmoshë. Në raport thuhet se policia vazhdon të raportojë se trafikimi i brendshëm, që involvon serbët e Kosovës, po ashtu mund të ndodhë në pjesën veriore.
15 Qershor 2010