Zihet me kushërinjtë, largohet adoleshentja
FIER - Kishte ardhur nga Italia për të pushuar në Shqipëri, por humbet pa gjurmë një adoleshente nga Fieri. Sipas familjarëve, Franceska Merkaj është larguar nga shtëpia dy ditë më parë rreth orës 17:00 dhe nuk është kthyer ende, pas një konflikti me kushërinjtë e saj më të vegjël. Prindërit kanë kryer denoncimin në komisariat, ndërsa efektivët e policisë kanë nisur tashmë kërkimet. 15-vjeçarja dhe familja e saj jetojnë në Breshia të Italisë, por ishin kthyer në Shqipëri për pushimet verore. Sipas nënës së vajzës, këto ditë në shtëpi ishte ndezur një konflikt me mes Franceskës dhe 2 kushërinjve të saj 10 dhe 13 vjeç, të cilët e kanë keqtrajtuar atë. Prej dy ditësh shtëpia e familjes Merkaj është përfshirë nga paniku, ndërsa po punohet për gjetjen e adoleshentes.
Zhduket 9-vjeçari rom, kërkime për gjetjen e tij
DURRËS - Familjarët e një 9-vjeçari nga Lagjja 8 e qytetit të Durrësit kanë denoncuar për zhdukjen e fëmijës së tyre, Edison Filja. Sipas prindërve të djalit të mitur, pjesë e komunitetit rom, ai është larguar që prej pasdites së datës 8 qershor dhe nuk është kthyer më në banesë. Ata kanë deklaruar në polici se 9-vjeçari shpesh kishte paralajmëruar se do të largohej nga shtëpia. Sipas tyre, ditën që i mituri është larguar kanë vënë re se në shtëpi mungonin 2 valixhe dhe një çantë, çka i ka shtyrë të mendojnë se ai ka marrë me vete. Mësohet gjithashtu se 9-vjeçari kishte veshur pantallona xhins, një bluzë të bardhë dhe një jelek të zi, ndërkohë që numri i telefonit i vënë në dispozicion për çdo informacion në lidhje me vendndodhjen e tij është 0684599519.
15 Qershor 2010